Sëmundjet tumorale po shtohen me shpejtësi, mjekët thirrje për rivendosjen e ligjit antiduhan

Sëmundjet tumorale po prekin gjithnjë e më shumë njerëz dhe për fat të keq dhe mosha shumë të reja.
Shefja e shërbimit të Spitalit Onkologjik thotë se vendin e parë e zë kanceri i mushkërive që ka edhe vdekshmërinë më të lartë.
“Sot kanceri fatkeqësisht është gjithmonë në rritje dhe po prek jo vetëm moshat e avancuara por ka filluar të ketë edhe një ulje të moshës mesatare në të gjithë popullatën. Në Shqipëri, ashtu sikurse edhe në Europë ka disa kancere, të cilat zënë vendin e parë, siç është ai i pulmonit që prek kryesisht seksin mashkull, por që fatkeqësisht ka filluar të prekë edhe seksin femër. Nga ana tjetër, duke qenë se këto kancere nuk japin shenja shumë të mëdha, ato e fshehin klinikën dhe sigurisht pacientët paraqiten në spital në faza të vonshme. Mbijetesa e tyre 5-vjeçare bie jashtëzakonsisht shumë,” thotë Slivana Çeliku, shefe e shërbimit të onkologjisë në QSUT.
Mjekja tregon se nga po na vjen edhe e keqja më e madhe.
“Shkaku kryesor është pirja e duhanit. Unë këtu do doja të bëja një rithirrje për rivendosjen e ligjit kundër duhanit nëpër të gjitha ambientet publike, sepse ai dëmton jo vetëm atë që e pi, por edhe atë që ka në krah. Është pikërisht kjo arsye që unë mendoj që kanceri i pulmonit mund të parandalohet duke eliminuar faktorët që e shkaktojnë atë,” shton Dr. Çeliku.
Pavarësisht se baza e trajtimit për të gjithë sëmurët me kancer si kimioterapia është e siguruar , një gamë medikamentesh mbeten të pambuluara:
“Sigurisht një gamë e medikamenteve siç janë imunoterapia, target-terapia dhe terapi e personalizuar, që janë terapi shumë të shtrenjta, sigurisht nuk i kemi të gjitha në spital por gradualisht kemi filluar të fusim medikamente të tilla të shtrenjta të cilat bëjnë të mundur trajtimin e pacientëve dhe zgjatjen e jetës së tyre,” shprehet mjekja e shërbimit onkologjik.
Një lajm i mirë vjen në QSUT për ekzaminimin me aparatura të një niveli shumë të lartë siç është pet-skaneri.
“Shumë shpejt ne mendojmë të fusim edhe një ekzaminim shumë të përparuar, që ndodhet sot vetëm në një strukturë private. Shumë shpejt do ta kemi, por nuk kam një datë,” thotë Dr. Çeliku.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




