Sezoni i patates në Kukës, fermerët përballen me mungesën e tregut
Në Novosej por edhe fshatrat e tjerë të Shishtavecit, fermerët janë në arë. Është sezoni i vjeljes së patates. Duket se këtë vit, kushtet e motit e kanë dhënë efektin te rendimenti. Një pjesë e fermerëve po marrin prodhim të kënaqshëm, por në një pjesë të parcelave pa rrjetin ujitës, prodhimi ishte më pak kjo edhe për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës së kësaj vere. Pavarësisht prodhimit fermerët nuk arrijnë ta tregtojnë në kohë. Për ta, konkurrenca dhe favorizimi i tregut për patatet importit janë shkaku kryesor i mos garantimit të tregut.
“Prodhimi është shumë i mirë po nuk ka treg këtu”, tha një fermer.
Fermerët thonë se çmimi me të cilin operojnë dhe kërkon tregu nuk është i favorshëm.
“Çmimi është 400 lekë, por kur i llogarit të gjitha ato që bën, shpenzimet dhe gjërat që nevojiten, nuk ke llogari”, tha një tjetër fermerë.
Kur bëhet fjalë për shpenzimet që kërkon kultivimi i një produkti të tillë, fermerët rendisin një listë të gjatë e cila nuk mbulohet nëse operohet me çmimin aktual të tregut. Në shumë raste prodhimi mbetet stok deri në pranverë.
Groposja është zgjidhja e vetme në këto kushte, ndaj i kanë përgatitur me kohë. Prodhimin e marrin nga arat për shtratifikimin në gropë me shpresë se do të gjejnë tregun në prill e maj të vitit të ardhshëm.
“I groposim ne tokë”, tha fermerja.
Këtë vit ka një reduktim të sipërfaqes së mbjellë me patate, kjo edhe për faktin se shumë prej banorëve të kësaj zone po heqin dorë nga bujqësia ndërsa mungesa e fuqisë punëtore por edhe kostot për kultivimin dhe prodhimin e patates kushtëzojnë zgjerimin e sipërfaqes së mbjellë për kulturat bujqësore ashtu si kundër edhe mbarështimit të gjësë së gjallë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





