SHBA, aleatëve evropianë: S’i bashkohemi iniciativës së G7 për të përdorur astet ruse

Amerikë | 12 muaj më parë

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar partnerët evropianë se aktualisht nuk do të bashkohen në iniciativën e G7 për të përdorur asetet e ngrira ruse,.

Ashtu siç raporton ‘Bloomberg’, duke cituar burime të afërta me bisedimet, zyrtarët amerikanë e kanë komunikuar këtë qëndrim gjatë diskutimeve joformale në kuadër të takimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington javën e kaluar.

“Zyrtarët amerikanë informuan homologët e tyre evropianë se për momentin nuk do të bashkohen në iniciativë, gjatë bisedimeve në margjinat e takimit të FMN-së,” raportoi Bloomberg të hënën, duke shtuar se burimet kërkuan të mbeten anonimë pasi diskutimet ishin private.

Sipas një burimi, SHBA-ja e justifikoi hezitimin e saj me rreziqet për stabilitetin e tregut financiar.

Një tjetër burim theksoi se në këtë fazë, SHBA-ja thjesht nuk po merr përsipër asnjë angazhim.

Gjithashtu bëhet e ditur se brenda grupit të G7 ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja mbështesin iniciativën evropiane për përdorimin e aseteve ruse, ndërsa Japonia ndan të njëjtin qëndrim me SHBA-në, duke treguar një qasje më të rezervuar.

Më herët është raportuar se Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse, me vlerë rreth 170 miliardë euro, të cilat aktualisht mbahen në depozituesin financiar Euroclear në Bruksel.

Sipas planeve, rreth 140 miliardë euro nga këto fonde mund të alokohen për një “kredi reparacioni” për Ukrainën.

Kjo çështje pritet të diskutohet në samitin e Bashkimit Evropian më 23-24 tetor.

Vendimi i SHBA-së për të mos u përfshirë për momentin në planin e G7 mund të ngadalësojë përpjekjet për të siguruar fonde për rindërtimin e Ukrainës, duke ngritur pikëpyetje për koordinimin ndërkombëtar në përgjigje të krizës së vazhdueshme të shkaktuar nga agresioni rus.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme