SHBA dhe Rusia ballë për ballë në samitin e ASEAN-it: Rubio dhe Lavrov diskutojnë luftën në Ukrainë

Botë | 3 muaj më parë

Diplomatët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u takuan të enjten në Manila, në kuadër të samitit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, u ulën në një tavolinë përballë gazetarëve, pa dhënë deklarata publike.

Më vonë, një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se dy të dërguarit diskutuan “marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe nevojën për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës”.

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se takimi përfshiu bisedime mbi “marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe nevojën për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë”, pa dhënë detaje të tjera.

Dy diplomatët pritet gjithashtu të trajtojnë konfliktin në Lindjen e Mesme, ku Moska ka dënuar sulmet amerikane ndaj Iranit, një prej aleatëve të saj.

Rubio tha të mërkurën se “lufta në Ukrainë, në shumë mënyra, ka penguar aftësinë e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për të gjetur fusha marrëveshjeje mbi tema të tjera”, por shtoi se Washingtoni do të vazhdojë të kërkojë fusha të mundshme bashkëpunimi.

Nga ana e tij, Lavrov u shpreh se takimi “do të ishte i dobishëm në çdo rast. Është mirë të bësh pyetje dhe të marrësh përgjigje”.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë “të mirë dhe të rëndësishme” me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për të rigjallëruar diplomacinë dhe bisedimet e ngecura që synojnë t’i japin fund konfliktit. Zelensky e bëri këtë të ditur përmes një postimi në platformën X.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për fushatën e Ukrainës me sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi, duke thënë se ato mund të “ndihmojnë në përfundimin” e luftës.

Këto sulme kanë synuar rafineritë, depot e naftës dhe anijet e mallrave në det, duke shkaktuar mungesa të karburantit në Rusi.

Në fund të qershorit, një breshëri masive raketash dhe dronësh rusë vrau të paktën 30 persona në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke treguar se konflikti mbetet i përshkallëzuar dhe i largët nga një zgjidhje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme