SHBA- Shpërthim masiv në një fabrikë municionesh ushtarake në Tenesi, raportohet për viktima dhe të zhdukur

Disa persona kanë humbur jetën dhe të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një shpërthimi në një fabrikë municionesh në Tenesi, SHBA.
Fabrika Accurate Energetic Systems, ndodhet rreth një orë në jugperëndim të Nashville, Tenesi, në kufirin e qarqeve Hickman dhe Humphreys. Ajo është e specializuar në prodhimin e municioneve ushtarake.
Sherifi i qarkut, Chris Davis tha se janë regjistruar edhe disa shpërthime të vogla pas shpërthimit të parë të madh. “Ne kemi një hetim shumë të madh. Ndoshta do të jemi këtu për disa ditë“, tha ai.
Autoritetet po u kërkojnë të gjithëve njerëzve që të shmangin zonën ndërsa shërbimet e urgjencës janë në vendngjarje.
Kryebashkiaku i qarkut Hickman, Jim Bates tha se ka ende shumë pikëpyetje pas shpërthimit. Bates deklaroi se shkaku është ende i paqartë, por ndikimet në komunitet do të jenë të gjera.
“Është mjaft shkatërruese ta shohësh këtë. Përveç një shpërthimi të vogël municionesh në vitin 2014, objekti nuk ka pasur probleme sigurie“, tha ai.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi shpërthimin dhe as numri i saktë i njerëzve të pagjetur dhe i viktimave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












