Shërbimi Sekret zbulon postën e gjuetisë pranë zonës ku ulet “Air Force One” i Donald Trump

Amerikë | 12 muaj më parë

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka zbuluar një postë gjuetie të dyshimtë me pamje të drejtpërdrejtë ndaj zonës ku presidenti amerikan Donald Trump zbret nga Air Force One në Aeroportin Ndërkombëtar të Palm Beach; Kështu kanë bërë të ditur zyrtarët amerikanë për “Fox News Digital”.

Agjentët e zbuluan postën ditën e enjte dhe Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka marrë përsipër drejtimin e hetimeve për këtë rast.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se posta e gjuetisë nuk është lidhur ende me ndonjë individ të caktuar.

“Para kthimit të presidentit Trump në West Palm Beach, Shërbimi Sekret zbuloi atë që dukej të ishte një postë gjuetie e ngritur në linjën e pamjes në zonën ku ulet “Air Force One”. Nuk u gjetën individë në vendngjarje. FBI-ja ka marrë drejtimin e hetimit dhe po mbledh të gjitha provat nga vendngjarja dhe po përdorim aftësitë tona duke analizura të dhënat e telefonave celularë”, tha Patel.  

Shefi i komunikimeve të Shërbimit Sekret Amerikan, Anthony Guglielmi, konfirmoi se organizata po bashkëpunon ngushtë me FBI-në dhe forcat e rendit në qarkun e Palm Beach.

Ai shtoi se posta e gjuetisë u zbulua gjatë “përgatitjeve të avancuara të sigurisë” përpara mbërritjes së Trump në Palm Beach.

“Nuk pati ndikim në asnjë lëvizje dhe nuk kishte individë të pranishëm apo të përfshirë në vendngjarje. Edhe pse nuk mund të japim detaje rreth sendeve specifike apo qëllimit të tyre, ky incident nënvizon rëndësinë e masave tona të sigurisë në disa shtresa,” tha Guglielmi për Fox News.

Një burim nga forcat e rendit i tha Fox News Digital se posta dukej se ishte ngritur “muaj më parë”.

Ky hetim vjen vetëm disa javë pas dënimit të Ryan Routh, i cili u shpall fajtor për tentativën e tij për të vrarë presidentin Trump në një fushë golfi në Palm Beach, ku kishte ngritur një pikën e qëndrimit të tij me snajperin në dorë dhe fshehur në shkurre aty pranë pranë.

Routh, 59 vjeç, u akuzua për pesë vepra penale federale, përfshirë tentativën për vrasjen e një kandidati për president, sulmin ndaj një zyrtari federal dhe disa vepra të lidhura me armët e zjarrit.

Kjo tentativë e dyshuar erdhi pas një incidenti tjetër ku Trump u qëllua në vesh gjatë një mitingu  të fushatës elektorale në Butler, Pensilvani.

 Zbulimi i postës së gjuetisë shton shqetësimet për sigurinë e Presidentit, veçanërisht pas këtyre incidenteve të fundit.

USSS dhe FBI-ja po punojnë për të përcaktuar nëse posta përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe nëse ka lidhje me ndonjë plan të organizuar, shkruan Fox News.

Hetimet vazhdojnë, dhe autoritetet kanë theksuar se po marrin të gjitha masat për të garantuar sigurinë e Presidentit dhe zyrtarëve të tjerë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme