Shkaktarët e trafikut në Tiranë/ Policia rrugore ndëshkon mbi 12 mijë drejtues

12.607 drejtues automjetesh janë ndëshkuar me gjobë përgjatë një jave nga Policia rrugore në Tiranë, të evidentuar si shkaktarë të trafikut të rënduar në kryeqytet.
Shkeljet janë administrative dhe kanë të bëjnë me rastet e parkimit të makinave në mënyrë të gabuar, që jo në pak raste sjellin kaos dhe trafik.
Gjithashtu policia ka ndëshkuar drejtuesit që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe ata që parakalojnë në mënyrë të gabuar, duke u bërë burim aksidenti.
Përpos gjobave për të ndërgjegjësuar drejtuesit që të shmangen parkimet e dyfishta apo të gabuara, deri në trotuar, ditët në vijim pritet një fushatë më e ashpër nga policia edhe për largimin e makinave nga rruga me karrotrec.
Për drejtuesin e mjetit kostoja llogaritet në vlerën 7 mijë lekë.
Masat vijnë me qëllim lehtësimin e trafikut, ndërsa në qytet lëvizja është shtuar me fillimin e vitit akademik
Ministri Balla, thirrje drejtuesve të automjeteve
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të parkojnë në vendet e parashikuara për parkim, në të kundërt makina e tyre do të bllokohet dhe largohet me mjetet të posaçme nga vendi ku gjendet i parkuar.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, të martën, Balla bëri me dije se Policia Rrugore ka vendosur 1466 gjoba për qëndrim të gabuar, 41 gjoba për parakalim të gabuar dhe 113 gjoba për mos respektim të sinjalistikës. Sipas Ballës, këto fenomene krijojnë edhe trafik, kësisoj ai paralajmëron dhe heqjen me makineri të specializuar të mjeteve të parkuara gabim dhe bllokimin e tyre.
“Parkimeve të gabuara vend e pa vend, parkimeve dyshe, treshe mu në mes të rrugës, parkimeve mbi trotuar apo tek korsia e biçikletave etj., do duhet t’i jepet fund. Trafiku i rënduar në kryeqytet dhe në qytetet e mëdha, ka si burim kryesor edhe parkimet e gabuara të cilat bllokojnë rrjedhshmërinë e trafikut,” u shkruan Balla.
“Ne duam mirëkuptimin e drejtueseve dhe drejtuesve të mjeteve, se makina juaj e parkuar gabim është një problem shumë i madh për të tjerët të cilëve u ke zënë rrugën, po ashtu dhe një karshillëk i madh ndaj Kodit Rrugor. Numri i madh i masave ditën e djeshme në Tiranë, është një apel publik për reflektim dhe bashkëpunim drejtuar përdoruesve të mjeteve. Policia e Shtetit nuk do ta tolerojë asnjë çast këtë shkelje masive dhe këtë karshillëk. Brenda pak ditësh çdo mjet i parkuar gabim do të largohet nga vendqëndrimi i gabuar me makineri të specializuar të kontraktuar nga Policia Rrugore dhe do të bllokohet,” përfundoi Balla.
Gazetar: Heriselda Dyrmishi
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



