Shpëtimi i radhës për borxhlinjtë, shteti fal gabimet e vjetra. Përjashtim bëjnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore

Ekonomi | 4 muaj më parë

Nga 10 qershori 2026 hyn në fuqi skema e re për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore. Kjo masë synon t’u japë lehtësi financiare bizneseve dhe individëve me borxhe të prapambetura ndaj shtetit.

“Kemi një numër të madh biznesesh të cilat janë të regjistruara, por që nuk janë funksionale vetëm për shkak se janë bllokuar, për shkak të detyrimeve të mëparshme. Bllokimi i këtyre bizneseve krijon probleme në aspektin e punësimit. Është një masë e duhur në momentin e duhur”, tha eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko.

Qeveria argumenton se kjo është një mundësi për të mbyllur borxhe të vjetra dhe të pambledhshme, por për ekspertët nevojitet kujdes me nisma të tilla.

“Bizneset të cilët kanë qenë në rregull me detyrimet fiskale, me detyrimet doganore, mund të thonë që prit tani pse kjo pabarazi. Është shumë e rëndësishme që kjo gjë të mos bëhet precedentë”, tha ai.

Edhe pse kjo nismë parashikon faljen e plotë të detyrimeve të krijuara deri në fund të vitit 2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, këtu përjashtohen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

“Të gjithë kompanitë që kanë detyrime sigurime shoqërore, sigurime shëndetësore duhet t’i paguajnë në mënyrë që të gjithë ata që dalin në pension të mos kenë probleme, të marrin aq aq pension sa i takon”, nënvizoi ai.

Për të përfituar nga kjo nisëm, tatimpaguesit me borxhe të viteve 2015–2019 duhet të paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor ose 75% të tij deri më 31 dhjetor të këtij viti. Në të dyja rastet, të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht. Ndërkohë, Administrata Tatimore do të hartojë listat e përfituesve dhe njoftimet do t’u dërgohen qytetarëve dhe bizneseve elektronikisht përmes sistemit ‘e-Filing’.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme