Shqipëri-Itali me protokoll bashkëpunimi për emigrantët, skanimi në Portin e Shëngjinit

Shqipëria do të ndihmojë Italinë me përballimin e fluksit të emigrantëve që vijnë drejt Bashkimit Evropian për azil politik apo ekonomik.
Kryeministri Edi Rama dhe shefja e qeverisë italiane, Xhorxha Meloni (o. Giorgia), firmosën të hënën protokollin e bashkëpunimit për luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe pritjes së refugjatëve.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga selia qeveritare në Romë, znj. Meloni e vlerësoi Shqipërinë për ndihmën, duke e quajtur “mike të Italisë dhe të BE-së, që faktikisht po sillet si një vend i BE-së”.
“Shqipëria do të japë mbështetjen e saj për të përdorur disa zona të saj dhe Italia do të mund të operojë me financat e veta për të realizuar këtë lloj seleksionimi. Refugjatët, ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore dhe do të seleksionohet. Si numër popullsie, kemi rreth 3 mijë persona sipas një regjimi të caktuar. Flasim nëpërmjet flukseve dhe ky fluks mund të arrijë në 36 mijë persona në muaj, dhe kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera vulnerabël. Në Portin e Shëngjinit do të realizohet seleksionimi, qendra e pritjes dhe skanimi i të ardhurve.
Pjesa shqiptare do të merret me gatishmërinë e kontrollimit, observimit, dhe ky protokoll që firmosim sot ka një kornizë politike dhe juridike. Marrëveshjet e tjera do të pasojnë. Kemi qëllim që të jetë operative në pranverën e ardhshme. Jam shumë e kënaqur me punën që kemi bërë me kryeministrin. E konsideroj këtë një marrëveshje me frymëmarrje të gjerë evropiane dhe tregon se mund të ketë bashkëpunim për frontin e emigracionit. Shqipëria jo vetëm që konfirmohet një mike e Italisë, por edhe e Bashkimit Evropian. Edhe pse nuk është pjesë e BE-së, Shqipëria sillet tashmë faktikisht si një vend i BE-së,” u shpreh znj. Meloni.
Kryeministri Rama tha se protokolli i bashkëpunimit dëshmon prirjen historike të Shqipërisë për t’i ardhur në krah Italisë, BE-së dhe atyre shteteve që dikur kanë pasur nevojë për ndihmë.
“Neve na takon të jemi gjithmonë të pranishëm për të ndihmuar dhe për të menaxhuar me shumë pak një situatë shumë të vështirë për Italinë. Gjeografia është kthyer në mallkimin e Italisë dhe kur hyhet në Itali zëre se ke hyrë në Evropë dhe BE, por kur bëhet fjalë për të menaxhuar këtë hyrje ne e dimë shumë mirë si zhvillohen gjërat. Ne nuk kemi forcën dhe kapacitetin për të qenë zgjidhja, por mendoj se kemi angazhimin dhe obligimin për të dhënë ndihmë.
Ky protokoll bashkëpunimi është produkt i një diskutimi të gjatë për të bërë mirë. Nuk është një rrugëdalje apo rrugëzgjidhje. Shqipëria ka një histori të mikpritjes dhe është i vetmi vend evropian ku ka pasur më shumë hebrenj gjatë Luftës II Botërore. Shqipëria është një vend ku mijëra italianë mbas kapitullimit kanë gjetur mbrojtje nga shqiptarët dhe nuk janë lënë nën rrymën ose atë që quhet mëshira e fatit kundrejt gjermanëve. Gjithashtu u kemi dhënë ndihmesë atyre popullsive kundër spastrimit të [Sllobodan] Millosheviqit. Shqipëria i ka dhënë strehim mijëra vajzave e grave afgane brenda pjesës tonë të aleancës strategjike brenda NATO-s,” u shpreh kryeministri Rama.
Dy kolegët u takuan në të njëjtat kushte edhe më 27 shtator, kur kryeministrja Meloni e cilësoi Shqipërinë një partner strategjik në rajonin e Ballkanit. Shqipëria ka filluar negociatat për aderim në BE që prej korrikut të shkuar, por disa nga kërkesat e bllokut evropian mbeten për t’u përmbushur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




