Shqipëri, rritja e pagave dhe produktiviteti

Qeveria e re ka parashikuar rritje të pagave në mandatin e saj të ri. Në programin e ri qeveritar do të rriten pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40% deri në fund të mandat të tretë. Edhe pagat e punonjësve të administratës publike do të rriten me 30% deri në fund të këtij mandati, që do të thotë se paga mesatare në administratë, nga 72 mijë lekë/muaj shkon në 85 mijë lekë/muaj për katër vitet e ardhshme.
Shqipëria është një ndër vendet e rajonit me pagat më të ulëta. Ndryshimi me bazë vjetore i pagës mesatare në Shqipëri është karakterizuar nga trendi rritës, por me luhatje të shpeshta. Deri në vitin 2009 vërejmë rritje dhe me terma dyshifrorë, në vitin 2007, shënohet rritja më e lartë me rreth 17 përqind më shumë se paga mesatare e vitit 2006. Pas vitit 2009 vijon kryesisht trendi rritës po në nivele një shifrore.
Në vitin 2015 ka një kthesë të trendit ku shënohet rënia më e madhe pagës mesatare, 11.7 për qind më e ulët se paga e vitit 2014. Në këtë vit qeveria nisi fushatën kundër informalitetit, si rrjedhojë bizneset u ndeshën me faktin që duhet të siguronin çdo punonjës, kështu që rritja e numrit të punonjësve formalë, shumica e të cilëve me pagë minimale, coi në përcaktimin i një niveli më të ulët të pagës mesatare.
Ministria e financave me një vendim të posaçëm aplikoi rritje të pagave me 20 mijë lekë për të gjitha pozicionet që nga specialistët deri tek nivelet me te larta, teksa pjesa e tjetër e administratës ka përfituar rritje shumë më të ulët.
Drejtoria e riskut në Tatime njoftoi se ka filluar të marrë në analizë nivelin e deklarimit të pagave të punonjësve. Nga këto analiza, është konstatuar se disa punëdhënës deklarojnë paga, për profesione të caktuara, që janë ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut.
Ekspertët, në një shqyrtim që i kanë bërë ecurisë së prodhimit në ekonomi dhe rritjes së pagave, arrijnë në përfundimin se në shumë sektorë të ekonomisë, mundësitë për një rritje më të fortë të pagave, të bazuar thjesht mbi rritjen e produktivitetit, janë plotësisht të motivuara.
Sipas tyre, fakti që produktiviteti ka pasur një rritje dukshëm më të lartë, do të thotë se përfitimet e ekonomisë nga rritja e produktivitetit kanë shkuar në favor të të ardhurave mbi kapitalin.
Shqipëria ka aktualisht nivelin më të ulët të pagës në Europë, me mesatarisht 2.3 euro për orë pune, kundrejt gjashtëfishit në Bashkimin Europian.
Shqipëria ka pagën mesatare më të ulët ndërmjet vendeve të Ballkanit, ndërsa pagën mesatare më të lartë në Ballkanin Perëndimor e ka Mali i Zi rreth 787 Euro, ndërkohë që paga mesatare për Ballkanin Perëndimor, llogaritet rreth 655 Euro.
Paga mesatare në Ballkan është rreth 1070 euro, ku vlerën më të ulët e ka Shqipëria rreth 436 euro, ndërsa pagën mesatare mujore më të lartë, mbi 2400 Euro e ka Italia.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




