Shqipëria në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Hoxha: Shqipëria, angazhim të palëkundur për reforma dhe progres

Politikë | 44 minuta më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka ndarë në rrjetin social “X” një videomesazh të kryeministrit Edi Rama mbi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Në mesazhin e tij, Hoxha thekson se sesioni i 81-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është në zhvillim, ndërsa debati i përgjithshëm nis të martën e ardhshme.

“Përballë një panorame pesimizmi gjeopolitik, pasigurie dhe paparashikueshmërie, Shqipëria vjen e përgatitur, me një ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe një angazhim të palëkundur për reforma dhe progres”, shkruan Hoxha.

Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve, duke theksuar se “premtimet kanë rëndësi, por përmbushja e tyre ka më shumë rëndësi dhe është ajo që bën diferencën”.

Në videomesazhin e publikuar, kryeministri Edi Rama flet për punën e Shqipërisë në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët; ato janë një plan pune i përditshëm dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Evropian”, shprehet Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme