Shqipëria Zgjedh – Pjesëmarrja 42.17%, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit votojnë Parlamentin e ri

Shqiptarët në të gjithë vendin iu drejtuan të dielën kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri.
Janë rreth 3 milionë e 713 mijë qytetarë që këtë vit gëzuan të drejtën e votës. 114 mijë iu dha mundësia të votojnë për herë të parë dhe po për herë të parë procesit iu bashkua edhe diaspora me gati 245 mijë votues të regjistruar.
Orari zyrtar i votimit nëpër qendrat e ndryshme të vendit ishte 7:00 deri në 19:00. Ora 7 e pasdites ishte po ashtu limiti për pranimin e fletëvotimeve që vijnë me postë nga diaspora, ndërsa votat nga jashtë përtej këtij orari nuk do të merren parasysh. Procesi monitorohet nga mbi 2.100 vëzhgues.
Në fletën e votimit ishin 11 subjekte politike, të cilat shpërndanë secila nga 186 kandidatë për deputetë nëpër 12 qarqet e Shqipërisë.
Zhvillimet minutë pas minute
21:45 | KQZ: Deri në orën 19:00 kanë votuar 42,17% e qytetarëve, pjesëmarrja më e lartë në Dibër dhe Tiranë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes së votimit brenda vendit. Deri në orën 19:00, pjesëmarrja në votime është 42,17%. Qarku me numrin më të lartë të pjesëmarrjes në votime është Dibra me 50,10%. Pas Dibrës, qarku me numrin më të lartë të pjesëmarrjes në votime është qarku i Tiranës me 48,73%.

18:05 | KQZ: Deri në orën 18:00 kanë votuar 41,38% e qytetarëve, pjesëmarrja më e lartë në Dibër dhe Tiranë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes së votimit brenda vendit. Deri në orën 18:00, pjesëmarrja në votime është 41,38%. Qarku me numrin më të lartë të pjesëmarrjes në votime është Dibra me 48,16%. Pas Dibrës, qarku me numrin më të lartë të pjesëmarrjes në votime është qarku i Tiranës me 47,83%.
18:00 | PS kërkoi shtyrjen e orarit të votimit në Vlorë deri në 22:00, dështon marrja e një vendimi në Komisionin Rregullator
Komisioni Rregullator nuk ka arritur të shqyrtojë kërkesën e PS për shtyrjen e orarit të votimit në Vlorë deri në orën 22:00, në të 55 qendrat e votimit, duke mos arritur të marrë një vendim .
Shkak për këtë është bërë mungesa e kuorumit, pasi anëtarët e opozitës në këtë komision u larguan nga mbledhja.
Me kërkesën e anëtarit të Komisionit Rregullator, Arens Çela, Komisioni Rregullator u vetëmblodh të dielën, për shqyrtimin e projektvendimit “ Për shtyrjen e orarit të votimit për 55 qendra votimi, në qarkun Vlorë, për zgjedhjet për Kuvend të datës, 11 maj 2025.
Në projektvendim thuhej se kërkohet shtyrja e orarit të votimit deri në orën 22:00, për 55 qendra votimi, duke ngarkuar KQZ-në për zbatimin e këtij vendimi.
Por Komisioni Rregullator nuk arriti të marrë një vendim. Në këto kushte edhe në Vlorë kutitë e votimit do të mbyllen në orën 19: 00, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.
17:28 | Kanosje/dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, nis procedimi në gjendje të lirë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bëri të ditur se specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pas komunikimit me Prokurorin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Sekretari Noka ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se u procedua pse preku interesat e “mafies në pushtet në Vorë”.
17:10 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 39.21% deri në orën 17:00
Ka shkuar në 39.21% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 17:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Në bazë të qarqeve, Dibra (46.43%) kryeson me numrin e votuesve që janë paraqitur në qendrat e votimit, ndjekur nga Tirana (44.61%) dhe Kukësi (43.38%). Tri qarqet me pjesëmarrjen më të ulët deri tani janë Shkodra (33.35%), Gjirokastra (34.21%) dhe Vlora (27.67%).

17:10 | Topalli: Votoni, sepse është mundësia dhe e drejta juaj
Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për Diasporën Jozefina Topalli i ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë sepse është mundësi dhe e drejta e secilit.
Duke iu drejtuar më fjalët se “Ju keni një fuqi edhe më të madhe nga çfarë ju e mendoni”, Topalli u shpreh se “dyert e votimit hapen njëherë në katër vite. Ju keni mundësi dhe mund të ktheheni në promovues të një kthese të madhe historike”.
17:05 | Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS apel qytetarëve: Dilni votoni për fëmijët dhe nipërit tuaj
Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS, Silda Çepe, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë, ndërsa kanë ngelur pak orë. Ndërsa theksoi se “vota juaj është fuqia juaj, ndaj përdoreni atë, Çepe vuri në dukje se deri në mbylljen e kutive të votimit kanë mbetur edhe pak orë dhe çdo votë ka rëndësi.
17:00 | Vlora mes votimit dhe Giro D’Italia, Shkodrani: Janë bllokuar 14 akse rrugore ndaj kërkohet shtyrja e procesit të votimit
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH-24 nga Vlora, gazetarja Denada Shkodrani deklaroi se qyteti përveç procesit të votimit ka pasur dhe një sërë aktivitete kulturore ku më e famshmja është xhiroja çiklistike Giro D’Italia. Për faktin që disa segmente rrugore janë të bllokuara prej aktivitetit ndërkombëtar që për herë të parë zhvillohet në Shqipëri, Shkodrani tha se, qyteti ka qenë i mbushur me turist për të ndjekur më shumë se 200 garues në tre etapat që po zhvillohet në vendin tonë. Shkodrani tha se kjo garë ka ndikuar dhe në procesin e votimit ku të paktën 14 akse rrugore janë të bllokuara për shkak të këtij aktiviteti sportiv.
“Kjo ka qenë dhe arsye që ka çuar drejtuesin politik të qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi që ti kërkoj KQZ-së shtyrjen e afatit të votimit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Sikurse edhe në zgjedhjet e kaluar, Vlora është një nga qarqet e fundit të renditur në vend për pjesëmarrjen në procesin e votimit. Rreth orës 15:00 llogaritet një pjesëmarrje prej 25% në Bashkinë e Vlorës dhe më e ulët është në KZAZ-të e qarkut.

17:10 | Pjesëmarrja në zgjedhje, KQZ: Deri në orën 16:00 kanë votuar 36.61% e zgjedhësve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat më të fundit zyrtare , për pjesëmarrjen në votime në shkallë vendi deri në orën 16:00. Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 16:00 kanë marrë pjesë në votime 36.61% e zgjedhësve. Me përqindjen më të lartë është Dibra ku kanë votuar 43.24% e zgjedhësve, pasuar nga Tirana me 41.39%, Kukësi me 40.37%. Me përqindjen më të ulët deri tani është Vlora me 25.19%. PS ka kërkuar shtyrjen e orarit të votimit në 55 qendrat e votimit, deri në orën 22:00.

16:40 | Tensionet në Vorë, Celibashi revokon akreditimin për të gjithë vëzhguesit të lëshuara për KQV-të dhe VNV-të, përjashtim vetëm për mediet dhe vëzhguesit ndërkombëtarë
Tensionet e shfaqura në Vorë në qendrat e votimit, kanë detyruar Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, që të revokojë akreditimin për të gjithë vëzhguesit për KZAZ-në nr. 27, Bashkia Vorë, të lëshuara për Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV-të) dhe Vendet e Numërimit të Votave (VNV-të).
“Nga ky vendim bëjnë përjashtim vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediat.”, thuhet në vendim.

16:35 | Të rinj që votojnë për herë të parë, emocione dhe entuziazëm. Probleme me votimin elektronik për moshën e tretë
Në të gjithë vendin janë mbi 110 mijë të rinj që votojnë për herë të parë.
RTSH solli rastin e një 18-vjeçareje nga Tirana, e cila e konsideron këtë ditë shumë të rëndësishme. Ajo shprehu emocionet e para si votuese e re dhe theksoi rëndësinë që ka vota e saj.
Për herë të parë, por jo fizikisht, por nëpërmjet teknologjisë votuan edhe të moshuarit. Votimi elektronik për ta ishte pak i ndërlikuar, por u finalizua me sukses.
Qytetarët vlerësuan se, ndryshe nga pritshmëria, fleta e votimit ishte më e qartë për të shprehur zgjedhjen e tyre.
16:30 | 101-vjeçarja nuk lejohet të votojë, emri i saj nuk gjendet në listën e votuesve
Një 101-vjeçare nga qyteti i Fierit nuk është lejuar të votojë të dielën, pasi nuk ka gjetur emrin në liste. Djali i Fadile Nuhajt, Isufi, e ka cilësuar të pakuptimtë një situatë të tillë, pasi votuesja prej vitesh e ka ushtruar rregullisht të drejtën e saj.
“Më kanë hequr nga lista nënën 101 vjeçe. Vajta të votoj me nënën që në 7:00 të mëngjesit. Unë e kisha emrin, ajo s’e kishte. Një jetë të tërë duke votuar në atë qendër, te shkolla ‘Naim Frashëri’. Tani i kam ngritur duart lart, se s’e di ku ta zgjidh këtë punë që t’i bëj qejfin nënës,” u shpreh z. Nuhaj.
Një përfaqësuese e KZAZ-së në Fier ka kërkuar që nënës 101-vjeçare Fadile t’i mundësohet realizimi i së drejtës së saj për të votuar vetëm me vendim të gjykatës, me shpresën se gjykata do të marrë vendimin para orës 19:00, kur mbyllet procesi i votimit.
16:15 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 33.68% deri në orën 15:00
Ka shkuar në 33.68% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve të mbërritura ka arritur në 77.26%.
16:05 | Kërkohet shtyrja e orarit të votimit në Vlorë deri në orën 22:00 për 55 qendrat e votimit, pritet të mblidhet Komisioni Rregullator
Me kërkesën e anëtarit të Komisionit Rregullator, Arens Çela, Komisioni Rregullator do të vetëmblidhet të dielën, në orën 17:00 për shqyrtimin e projektvendimit “Për shtyrjen e orarit të votimit për 55 qendra votimi, në qarkun Vlorë, për zgjedhjet për Kuvend të datës, 11 maj 2025”. Në projektvendim thuhet se kërkohet shtyrja e orarit të votimit deri në orën 22:00, për 55 qendra votimi, duke ngarkuar KQZ-në për zbatimin e këtij vendimi. Shtyrja është kërkuar nga subjektet politike për shkak të bllokimit të rrugëve prej garës çiklistike “Giro d’Italia”.

15:10 | KQZ: Nuk lejohet në qendrat e votimit prania e personave të paautorizuar dhe në mjediset rrotull tyre
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë pak minuta më parë në informacion të rëndësishëm që lidhet me praninë e personave të paautorizuar në qendrat e votimit si dhe grumbullimet rreth tyre.
“Nuk lejohet në qendra votimi prania e personave të paautorizuar nga ligji dhe njerëzit e autorizuar nga ligji janë vetëm komisionerët, vëzhguesit e subjekteve politike ose të kandidatëve, vëzhguesit e pavarur, si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Në mjediset rreth e rrotull qendrave të votimit nuk lejohen grumbullimet e personave të paautorizuar, të cilët me prezencën e tyre mund të intimidojnë zgjedhësit.”, thuhet në njoftimin për shtyp të KQZ-së të publikuar në faqen zyrtare.
15:00 | Zv.kryeministrja Balluku voton në Fier: U bëj thirrje shqiptarëve mos ta çojnë votën dëm!
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, gjatë procesit të votimit në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, ftoi qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit politikë për Parlamentin e ri. Gjatë fjalës për gazetarët, Balluku u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që ta përdorin votën e tyre për të votuar sot dhe mos ta çojnë dëm, pasi “është një përgjegjësi qytetare, e cila duhet ushtruar në një sistem demokratik, ashtu siç është Shqipëria dhe me gjithë aspiratën tonë për t’u bërë pjesë e BE.”
14:28 | Hapen 16 qendra votimi në burgje, mbi 3 mijë të paraburgosur dhe të burgosur me të drejtë vote
Gjashtëmbëdhjetë Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale nga 21 në total hapën të dielën qendrat e votimit në të gjithë vendin. 3.027 persona të dënuar dhe të paraburgosur u është mundësuar të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, ndërsa mbi 1 mijë të burgosur u privuan nga kjo e drejta për të zgjedhur, pasi preken nga ligji i dekriminalizimit. Në IEVP-në e Fierit votoi edhe ish-deputeti Ervin Salianji. Në burgun 313 votoi edhe presidenti i partisë së Lirisë, Ilir Metaj, ndërsa në IEVP-në e Durrësit votuan edhe ish-ministri Lefter Koka, kryebashkiaku Erion Veliaj, ish-deputeti Alqi Bllako, të cilët nuk kanë pranuar që në momentin e votimit të jenë prezente kamerat.
14:15 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 30.47% deri në orën 14:00
Ka shkuar në 30.47% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve të mbërritura ka mbetur në 76.41%.

14:15 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 27.22% deri në orën 13:00
Ka shkuar në 27.22% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve të mbërritura ka mbetur në 76.41%.
13:07 | Shqiptarët votojnë, Berisha: Kush shkel ligjin do mbajë përgjegjësi absolute
Kryedemokrati Sali Berisha ka falënderuar qytetarët që kanë votuar deri tani dhe ka bërë thirrje që të dalin masivisht në votime. Sipas Berishës, ky është detyrim ndaj familjes dhe vetë Shqipërisë. “Falënderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare. Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.”
13:05 | Zgjedhjet, Gonzato në Durrës: I gjithë procesi shumë i rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka konsideruar “shumë të rëndësishëm” për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE mënyrën sesi janë organizuar dhe po zhvillohen zgjedhjet në vend. I pranishëm në Durrës, ku ka ndjekur nga afër votimin në një qendër, Gonzato tha se ata do të bëjnë një analizë të të gjithë procesit, por shtoi se fillimisht do të presin edhe gjetjet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. “Sigurisht që dita e zgjedhjeve është vetëm një aspekt, sepse kemi pasur fushatën zgjedhore më parë, është vetë dita e zgjedhjeve dhe më pas procesi i numërimit që kanë shumë rëndësi,” tha Gonzato.

12:50 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 23.05% deri në orën 12:00
Ka shkuar në 23.05% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve të mbërritura ka shkuar në 76.41%.
12:24 | Fotografoi fletën e votimit, arrestohet 56-vjeçarja
Shërbimet e Policisë në Komisariatin Nr. 1 në kryeqytet shoqëruan një 56-vjeçare, e cila dyshohet se fotografoi votën gjatë votimit në shkollën “Ali Demi”. Banuesja e Tiranës u ndalua për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Shërbimet e Policisë të Komisariateve Nr. 3 dhe Nr. 4, shoqëruan edhe dy shtetas të dyshuar për të njëjtën vepër penale. Ndërkohë në Elbasan, Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, arrestuan në flagrancë shtetasen 56 vjeçe, banuese në Elbasan, e cila po ashtu dyshohet për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit” gjatë votimit në qendrën nr. 2321 në lagjen “5 Maj”.
11:35 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 17.79% deri në orën 11:00
Ka shkuar në 17.79% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve që kanë mbërritur ka shkuar në 76.24%.
11:30 | Zannier: Po vëzhgojmë nëse zgjedhjet janë në standardet ndërkombëtare
Kreu i OSBE-ODIHR-it, Lamberto Zannier, ka vizituar një prej qendrave të votimit për të parë nga afër procesin ku shqiptarët po votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit për Parlamentin e ri. Zannier tha se vëzhguesit janë në Shqipëri për të parë nëse zgjedhjet do të realizohen sipas standardeve ndërkombëtare. “Ne jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për të vëzhguar që këto zgjedhje nëse janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kjo është një nga qendrat e votimit nga qendrat e shumta ku ne kemi prezencën ditën e sotme. Ne si OSBE-ODIHR ne kemi 240 vëzhgues por gjithashtu janë 135 të tjerë që janë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe nga Parlamenti Europian”, u shpreh Zannier.

11:25 | Fier, pretendime për shkelje gjatë procesit të votimit
Në qendrën e votimit 3030 të “Kinoteatri” në Fier, vëzhgues të një subjekti politik pretendohet se janë parë me lista të votuesve në duar, duke i kontrolluar votuesit gjatë procesit të votimit. Vëzhguesja e subjektit politik që rri tek kutia e votimit dhe kontrollon nëse fleta e votimit ka dy vula po ashtu pretendohet se e kryen këtë pasi votuesi ka votuar, duke shkelur rregullat dhe parimin e fshehtësisë së votës. Për pasojë, procesi i votimit u ndal përkohësisht.
11:07 | Zgjedhjet, Celibashi: Procesi i votimit po vijon normalisht
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në komunikimin e parë për mediet në këto zgjedhje, ka bërë me dije ecurinë e këtij procesi deri më tani, në të gjithë vendin. Celibashi deklaroi se procesi i votimit ka filluar normalisht dhe po vijon po ashtu normalisht, pavarësisht disa problematikave të izoluara. Ai përsëriti edhe njëherë thirrjen për kandidatët për deputetë që të mos qëndrojnë në qendrat e votimit.
11:00 | KQZ: Deri në orën 10:00 votojnë 13.53 për qind e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur pjesëmarrjen e përqindjes së votuesve në procesin e votimit deri në orën 10:00 të paradites për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Duke iu referuar të dhënave të raportuara deri më tani nga qendrat e votimit në rang vendi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpjegon se pjesëmarrja deri në orën 10:00 të paradites së sotme është 13.53 për qind.

Në raport me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021, ka një një pjesëmarrje më të ulët me 3 për qind sa i përket procesit të votimit në të njëjtën orë. Gjithashtu, KQZ-ja bën të ditur edhe përqindjen e zarfeve të dërguara me fletën e tyre të votimit nga Diaspora, mbi 75 për qind, ndërsa vendi që dominon dërgesat është Italia.

10:55 | Zgjedhjet parlamentare, Voton Rama: Sot është fjala e popullit
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama kanë votuar në qendrën e votimit në Surrel. Për mediat, Rama pati një koment shumë të shkurtër, teksa tha se sot është populli ai që do të flasë.
“Sot është fjala e popullit, kështu që të presim çfarë do thotë populli”, u shpreh kryeministri.
10:22 | Zgjedhjet parlamentare, voton Berisha: Do kemi një Ditë të dytë Vere
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, kanë votuar pranë qendrës së votimit të vendosur në ambientet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime, ndërsa 11 majin e konsideroi “një Ditë të dytë Vere”. “Një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar që sot të votojnë, të votojnë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për pensionet dhe rrogat e tyre, për punësimin, biznesin, fermën e tyre, të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend. Do kemi një ditë të dytë vere, ndaj thirrja ime është votoni, votoni, votoni!” tha Berisha.
10:18 | SPAK prezent në 12 qarqe, Altin Dumani voton në Tiranë: Do të flas pas zgjedhjeve
Në 12 qarqet e vendit kanë zbarkuar prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët janë prezentë edhe me agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në kryeqytet, SPAK ka deklaruar se janë caktuar prokurorë të posaçëm, ndërsa në dispozicion të çdo shqetësimi nga ana e qytetarëve ka vënë një numër të posaçëm për denoncimin e krimeve zgjedhore. Ndërkohë, të dielën kreu i SPAK, Altin Dumani, votoi në Qendrën e Votimit në shkollën “At Zef Pëllumbi” në njësinë nr. 5 në Tiranë, i shoqëruar me bashkëshorten e tij, ku për gazetarët tha: “Do kemi komunikim pas zgjedhjeve.”
9:53 | Voton presidenti Bajram Begaj: Qytetarët duhet të shprehin lirisht vullnetin e tyre
Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë Armanda Begaj kanë votuar për zgjedhjet parlamentare. Në një deklaratë të shkurtër për mediet, Begaj u bëri thirrje qytetarëve që të shprehin lirisht vullnetin e tyre dhe për një proces të qetë numërimi pas përfundimit të votimit. “Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, vendin dhe demokracitë. Kjo ditë sot ka një rëndësi të veçantë për shkak se kemi hapur negociatat për anëtarësim në BE, për herë të parë voton diaspora dhe zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira. Kjo duhet të jetë një ditë gëzuar ku qytetarët duhet të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa presion, por me përgjegjshmëri që zëri i tyre të dëgjohet,” u shpreh kreu i shtetit.

9:42 | Kryetari i PSD, Tom Doshi, voton me familjen e tij
Në KZAZ 34, te shkolla “Kongresi i Lushnjës” në kryeqytet votoi kryetari i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, së bashku me familjen e tij.
9:32 | Katër minorenë të burgosur votojnë në KZAZ-në e Kavajës
Katër të burgosur tek burgu i minorenëve, të cilëve u ka lindur e drejta e votës pasi kanë mbushur 18 vjeç, votuan në KZAZ 43 në Kavajë. Të katërt u shoqëruan nga një furgon i Ministrisë së Drejtësisë për shkak të pamundësisë për të votuar brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) për minorenët.
9:06 | Adriatik Lapaj voton në Tiranë
Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, e ushtroi të drejtën e votës në Shkollën e Mesme Ekonomike, që ndodhet në rrugën “Myrtezim Këlliçi” në Tiranë.
9:01 | Lulzim Basha voton në kryeqytet bashkë me vajzën e tij
Lulzim Basha i Koalicionit Euroatlantik ka kryer votimin në QV nr. 13 në Tiranë. Ai ishte i shoqëruar nga vajza e tij, që tha se voton për herë të parë në këto zgjedhje. “E kam këtë ftesë veçanërisht për brezin e ri në këtë ditë shumë të veçantë për mua, kur vajza ime, Dafina, voton për herë të parë. I them brezit të ri: sot keni një të drejtë të çmuar për të ushtruar. Dilni nga shtëpia, rezervoni pak kohë dhe votoni për veten tuaj, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj,” u shpreh Basha.
8:38 | KQZ konstaton praninë e kandidatëve në qendrat e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë raportime nga terreni që kandidatë për deputetë kanë kërkuar të futen në qendrat e votimit, një veprim ky i ndaluar nga Kodi Zgjedhor. “Kandidatët duhet të respektojnë me rigorozitet këtë ndalim ligjor. Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politik, duhet të jenë të parët që duhet të kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor,” thuhet në deklaratën e Komisionerit Shtetëror, Ilirjan Celibashi.
8:32 | Voton kryeparlamentarja Elisa Spiropali: Sot është dita e shqiptarëve
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, pasi votoi për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në zonën e “Parkut Olimpik”, deklaroi se sot është dita e kombit dhe e qytetarëve shqiptarë. “U bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen kësaj thirrjeje, të votojnë sot me qytetari ashtu siç është zhvilluar fushata zgjedhore, t’u tregojmë që jemi europianë me mendje dhe me zemër, në ideale por edhe në standarde. Urime të gjithëve dhe sa më shumë të votojnë për Shqipërinë, aq më shumë përgjegjësi qytetare tregojmë dhe aq më e mirë do të jetë e ardhmja jonë,” u shpreh Spiropali.

8:32 | Në bashkitë e Finiqit, Kardhikaqit dhe Gravës ende nuk janë tërhequr materialet zgjedhore
Në dy qendra votimi në Bashkinë Finiq, Kardhikaq dhe Gravë, nuk janë tërhequr materialet zgjedhore dhe si pasojë nuk ka nisur procesi. Në KZAZ 92 po shkon oficeri i policisë gjyqësore për të marrë në dorëzim materialet dhe për ta referuar ngjarjen për ndjekje penale për komisionerët që nuk u paraqitën.
8:23 | Në Labinot-Fushë nuk ka nisur votimi
Në Labinot-Fushë në qarkun e Elbasanit nuk ka nisur votimi. Probleme me materialet zgjedhore.
8:22 | Ambasadori gjerman flet për RTSH, thirrje qytetarëve: Përdorni të drejtën tuaj për të votuar!
Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, është i pranishëm në KZAZ numër 41 në Tiranë, ku po vëzhgon nga afër procesin e votimit. Në një prononcim për gazetaren Sonila Agostini, ambasadori Bergner u bëri thirrje qytetarëve që dalin në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre. Ai përmendi votën e diasporës dhe votimin dhe numërimin elektronik si përparime në këto zgjedhje. “Gjermania mbështet integritetin e këtyre zgjedhjeve në kuadër të mbështetjes që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE,” u shpreh ambasadori.

8:20 | Incident në lagjen 5 Maji në Elbasan, qytetarja kapet duke fotografuar votën
Një incident është regjistruar në lagjen 5 Maji në Elbasan, në Qendrën e Votimit 2321, ku një votuese është konstatuar duke fotografuar fletën e votimit. Pas evidentimit të rastit, policia ka kryer procesverbalin, për të marrë më pas masat e duhura. Kujtojmë se fotografimi i votës përbën vepër penale.
7:38 | Shkodër, nuk ka nisur ende votimi në zonat e thella malore, shkak mungesa e komisionerëve
Në qarkun e Shkodrës, në zonat e thella malore të Dukagjinit, Kelmendit, Pukës dhe Fushë-Arrëzit, ende nuk ka nisur procesi i votimit.
Komisionerët në disa qendra votimi ende nuk kanë mbërritur, për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë. Procesi zgjedhor ka nisur gjithmonë me vonesë në këto zona.
7:30 | Probleme me pajisjen PEI në disa qendra votimi në Përrenjas, Vlorë dhe Kamëz
Ne Përrenjas në dy qendra votimi ka problematika. Shkak mungesa e valëve në dy fshatra të thellë, kësisoj nuk punon pajisja PEI për identifikimin elektronik të votuesit. Edhe në dy qendra votimi në Vlorë dhe në Kamëz, KQZ-ja është lajmëruar për problematikën me pajisjen PEI.

7:20 | Elbasan, nis me vonesë procesi në 2 qendra votimi
Në Elbasan, procesi i votimit ka nisur me vonesë në 2 qendra votimi. Shkak për këtë është bërë vonesa e komisionerëve. Pas ardhjes së komisionerëve, procesi vijon pa probleme.
Në fletën e votimit janë këto 11 subjekte politike:
- Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha
- Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori
- Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani
- Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa
- Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama
- Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet i drejtuar nga Adriatik Lapaj
- Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi
- Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku
- Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi
- Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj
- Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi
Për këto zgjedhje është vendosur një sistem i ri votimi, që kombinon listat e mbyllura dhe të hapura. Edhe pse e radhitur alfabetikisht në fletëvotim, një e treta e listës së një subjekti politik është e paracaktuar si renditje dhe kandidatët në fjalë radhiten të parët kur vjen koha për ndarjen e mandateve, ndërsa në listën e hapur, kandidatët e subjektit politik garojnë me njëri-tjetrin me votat e marra për të siguruar mandatin e mundshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




