Gonzato në Durrës: Ecuria e zgjedhjeve, shumë e rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka konsideruar “shumë të rëndësishëm” për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE mënyrën sesi janë organizuar dhe po zhvillohen zgjedhjet në vend.
I pranishëm në Durrës, ku ka ndjekur nga afër votimin në një qendër, Gonzato tha se ata do të bëjnë një analizë të të gjithë procesit, por shtoi se fillimisht do të presin edhe gjetjet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR.
“Erdhëm dhe në Durrës sepse nuk donim t’i vëzhgonim zgjedhjet vetëm në kryeqytet, dëshironim të shikonim si po ecën procesi i zgjedhjeve edhe në qytetet e tera të Shqipërisë. Arsyeja pse po e bëjmë këtë gjë nuk është sepse nuk kemi besim te OSBE-ODIHR, por duam që edhe ne të kemi përvojën tonë, ta shohim gjënë nga afër. Siç thash edhe më parë, këto janë zgjedhjet e para që po organizohen në Shqipëri pas çeljes së negociatave. Në fakt negociatat kanë filluar me grup-kapitullin e parë që ka të bëjë me çështjet më themelore që janë sundimi i ligjit, standardet demokratike, të drejta e njeriut.
Zgjedhjet, mënyra sesi do të organizohen si do të shkojnë zgjedhjet janë shumë të rëndësishme edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sigurisht që dita e zgjedhjeve është vetëm një aspekt, sepse kemi pasur fushatën zgjedhore më parë, është vetë dita e zgjedhjeve dhe më pas procesi i numërimit që kanë shumë rëndësi. Ne bëjmë një analizë, por po presim të shikojmë edhe gjetjet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR”, tha Gonzato.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





