Siguria në Shkolla, ndryshime në Kodin Penal për armëmbajtësit dhe shpërndarësit e narkotikëve

Aktualitet | 3 vite më parë

Ndryshime të kodit penal ka paralajmëruar ministri i Brendshëm Taulant Balla për të ashpërsuar dënimin ndaj personave që kapen me armë dhe lëndë narkotike pranë shkollave 9 vjeçare dhe të mesme.

Nga shkolla “Jan Kukuzeli” në Durrës, ministri Balla paralajmëroi dhe mbyllje të njësive ushqimore pranë shkollave në rast se merren me aktivitet të paligjshëm.

”Policia e Shtetit do të marrë një përgjegjësi edhe më të madhe në drejtim të garantimit të sigurisë publike në shkolla dhe përreth saj. Fenomeni i shpërndarjes së lëndëve narkotike tek moshat e reja është një sfidë e madhe e imja personalisht, si ministër i Brendshëm dhe Policisë së Shtetit,” tha Balla.

Kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, njoftoi se veç sigurisë këtë vit Durrësi ka disa shkolla dhe kopshte të reja.

“Këtë vit me datë 11 fillon mësimi në shkollën ‘Olsi Lasku’ e cila është një objekt i ri i ndërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit, do të hapet gjithashtu çerdhja numër 2 pranë markatës se qytetit të Durrësit. Kemi përfunduar rreth 20 objekte arsimore që sot janë të shfrytëzueshme nga nxënësit dhe stafi akadermik,” tha kryebashkiakja Sako.

Paketa e sigurisë do të vihet në zbatim per herë të parë këtë vit, ku drejtoritë e policisë në qarqe do vendosin nga një punonjës policie për cdo shkollë me qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme brenda dhe përreth mjediseve arsimore.

Gazetare: J. Sagajeva

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme