Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes raporton 13 vatra aktive dhe ndërhyrje nga ajri

Përpjekjet për kontrollin dhe izolimin e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin e vendit po vijojnë me një koordinim intensiv mes strukturave lokale dhe atyre kombëtare. Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga Ministria e Mbrojtjes, deri në orën 17:00 janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri, prej të cilave 13 mbeten ende aktive, ndërsa 2 të tjera janë vënë nën monitorim të rreptë.
Në operacionet e shuarjes në shkallë vendi janë angazhuar 317 forca operacionale të mbështetura nga 32 automjete zjarrfikëse. Për të përballuar terrenin e thyer dhe përhapjen e flakëve, kapaciteteve tokësore u janë bashkuar edhe me mjete të ushtrisë.
“Në mbështetje janë angazhuar 120 efektivë të Forcave të Armaturave, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë ‘Air Tractor’ të Forcës Ajrore,” njofton Ministria e Mbrojtjes.
Ndër vatrat më problematike renditet ajo në Malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku veprojnë 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë, ndërsa vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është vënë nën kontroll. Një tjetër front me angazhim maksimal mbetet ai në Gurë-Lurë të Dibrës, ku rreth 200 hektarë pyll pishe janë përshkuar nga flakët. Në këtë zonë po punojnë rreth 240 forca të gjithanshme, me mbështetjen e dy avionëve “Air Tractor” dhe mjeteve të rënda për hapjen e korridoreve mbrojtëse.
Vatra të tjera aktive po menaxhohen në Qafë Helmes (Bulqizë/Dibër), Abaze (Krujë), Lufaj (Mirditë), Fushë-Lajë (Pukë), Dardhë (Librazhd), si dhe në disa pika në qarqet e Gjirokastrës (Sotirë, Libohovë, Memaliaj) dhe Vlorës (Gjormë, Aliban, Mesaplik).
Sipas autoriteteve, pavarësisht intensitetit të vatrave në terren, synimi parësor i strukturave mbetet mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara,” konfirmon Ministria e Mbrojtjes.
Ndjekja e ecurisë në territor po kryhet në mënyrë të vazhdueshme përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





