S’ka konsensus për Territorialen, PS mban ndarjen aktuale, PD kërkon shtimin e bashkive! Beteja zhvendoset në Kuvend

Komisioni për reformën territoriale ka mbyllur punën tij ku ka dalë më dy raporte, një të PS që kërkon të mbajë ndarjen aktuale me 61 bashki dhe një raport nga PD që kërkon rritjen e numrit të bashkive me plot 33 të tilla.
Mungesa e konsensusit mes dy palëve ka bërë që beteja përfundimtare të zhvillohet në Kuvend, ku demokratët këmbëngulin fort në shtimin e bashkive ku sipas tyre te gjithë qytetarët të marrin shërbimet.
Deputetja e PS, Anila Denaj tha se socialistët kërkojnë vetëm disa përmirësime të reformës territoriale të 2014 ku të mbajnë të njëjtin numër bashkisë por mund të bëjnë një ndarje më të mirë të zonave rurale.
“Përfaqësimi i zonave rurale mund të rishikohet. Rritja e kompetencës së administratorëve në ofrimin e shërbimeve publike, rishikimi I nivelit të pagave, qartësimi I kompetencave të vetëqeverisjes vendore, plotësimi dhe përmirësimi sektorial, rishikimi I kompetencave të qarkut. Rekomandojmë vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e 61 njësive vendore si vetëqeverisje e hapur vendor, qartësimi i kompetencave të 12 këshillave të qarqeve, rishikim të kufijve në disa zona rurale në ndarjen e njësive vendore”, tha Denaj.
Nga ana tjetër PD kërkon që në vend të krijohen 94 bashki, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë akses të barabartë në shërbime dhe njësitë vendore të kenë decentralizim financiar.
“Njësitë e qeverisjes vendore, nga 61 në 94, popullsia mesatare nga 75 mijë në 50 mijë në njësitë vendore, të ardhurat me një rritje minimale, shpenzimet, pritshmëria është për rritje,, në 2114 këshilltarë. Nëse do të shkojmë në 6 qarqe të mëdha, atëherë kemi rreth 15 njësi vendore për qark, decentralizim financiar”, tha Çupi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




