Skavica, miratohet kontrata, qeveria zgjedh një kompani amerikane për hidrocentralin

Ekonomi | 6 vite më parë

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit projektligjin për kontratën me kompaninë Bechtel, për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një projekt madhor që do të mbështetet me 500 milionë dollarë nga qeveria amerikane për ndërtimin e tij.

Sipas projektligjit, kontrata do të ndahet në dy faza, ku faza e parë përfshin atë përgatitore dhe propozimin e kompanisë tek autoriteti kontraktues, ndërsa faza e dytë e kontratës konsiston në projektimin dhe ndërtimin e kësaj vepre energjetike.

Pas prezantimit të projektit të Skavicës në qershor, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Kith Krack, nënshkruan në Tiranë një memorandumin bashkëpunimi në tetor të vitit të kaluar, ku dakordësuan që kompania Bechtel, krahas projektimit dhe ndërtimit, do të mundësonte edhe financimin e projektit përmes kredisë së butë prej 500 milionë dollarë.

Me ndërtimin e kësaj vepre energjetike, qeveria parashikon t’i japë zgjidhje problematikës së përmbytjeve në zonat e fushë Shkodrës, ndërsa synon ndër të tjera të ulë varësinë e importit të energjisë elektrike dhe të shndërrojë vendin në fuqi eksportuese në rast se Skavica rezulton një projekt i suksesshëm.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme