Sokol Sadushi zgjidhet kryetar i Gjykatës së Lartë

Sokol Sadushi është kryetari i ri i Gjykatës së Lartë. Në mbledhjen e përgjithshme të Gjykatës së Lartë të mbajtur këtë të martë, ku i pranishëm ishte dhe zv.kryetari i KJLGJ-së, Sadushi u zgjodh me 17 vota pro dhe 1 kundër në krye të Gjykatës së Lartë.
“Referuar kërkesave të nenit nenin 51 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), nenit 26, pika 1 të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (të ndryshuar), si edhe vendimit Nr. 485, datë 21.09.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për miratimin e rregullave për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Lartë”, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.
Në përfundim, rezultoi i zgjedhur me 17 vota pro dhe 1 votë kundër, Z. Sokol Sadushi, si Kryetar i Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftim.
Sokol Sadushi, 60 vjeç, është nga juristët më të njohur në Shqipëri në tre dekadat e fundit.
Ai e ka ushtruar këtë profesion, fillimisht si prokuror dhe më pas si avokat.
Nga viti 1991 ai ushtroi mësimdhënien si lektor i së Drejtës Administrative pranë Fakultetit të Drejtësisë .
Nga viti 1998 deri në vitin 2011 zoti Sadushi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuse të Shqipërisë.
Më pas ka ushtruar detyrën e Rektorit në Universitetin “Luarasi” dhe nga viti 2014-2020 kreu detyrën e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës.
Në vitin 2020 ai u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë.
Sokul Sadushi është autor i shumë punimeve dhe artikujve me karakter studimor në fushën e të drejtës administrative, të së drejtës kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



