Sot protesta e PD, policia se lejon/ Koçiu: Kush shkel ligjin, do procedohet penalisht. Të garantohet rendi dhe siguria

Aktualitet | 7 muaj më parë

Partia Demokratike e Shqipërisë do të zhvillojë sot në orën 18:00 një protestë kombëtare para Kryeministrisë, pavarësisht se Policia nuk ka dhënë miratimin për zhvillimin e saj.

Lidhur me këtë situatë reagoi ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila theksoi se protesta është një e drejtë kushtetuese, por duhet të zhvillohet në përputhje me ligjin.

Ne e kemi thënë shpeshherë, protestat janë e drejtë kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore”, u shpreh Koçiu.

Sa i përket mosmiratimit nga Policia e Shtetit, ministrja sqaroi se vendimi lidhet me precedentët e dy protestave të kaluara.

“Patjetër që kjo është një procedurë e lidhur drejtpërdrejtë me dy protestat e kaluara, duke pasur në konsideratë veprimet e dhunshme që janë kryer në dy protestat e kaluara. E drejta për të tubuar dhe manifestuar është e kujtdo”, deklaroi ajo.

Koçiu nënvizoi se Policia e Shtetit ka për detyrë ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe është e angazhuar maksimalisht për këtë qëllim.

Si të jetë protesta me leje apo pa leje, kushdo që kryen një veprim i cili dënohet ligjërisht, patjetër që bën klasifikimin e veprës dhe është policia, e prokuroria në varësi dhe të veprimeve që kryhen”, tha ministrja.

Ajo paralajmëroi se çdo shkelje e ligjit do të ndiqet penalisht. “Në çdo rast kushdo që kryen një veprim të paligjshëm procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi”, përfundoi Koçiu.

Koçiu u ka bërë thirrje drejtuesve të tubimit të distancohen nga aktet e dhunës. Ajo u kërkoi gjithashtu, që të mos përfshijnë të miturit në protesta e të mos i shfrytëzojnë për të kryer akte të dhunshme.

Gjithashtu, ministrja bëri me dije se ka urdhëruar hetim sa i përket përdorimit ose jo të një bombule gazi të skaduar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme