Spanjë/ Zelenski kërkon të rrisë mbështetjen për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski (o. Volodymyr Zelensky), ka arritur të enjten në qytetin spanjoll të Granadës, për të marrë pjesë në një samit me liderë evropianë, teksa i rrit përpjekjet për të siguruar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, që po përballet me pushtimin rus.
Lufta e Rusisë në Ukrainë hyn shpejt në muajin e 20-të, por mbështetja ndaj Kievit ka nisur të zbehet në disa shtete.
Zelenski dhe 46 udhëheqës tjerë shtetërorë pritet të takohen të enjten në Granadë, në kuadër të një takimi të thirrur nga Komuniteti Politik Evropian – një forum unik prej 27 vendeve anëtare dhe 20 shteteve tjera të Evropës dhe Kaukazit.
“Synimi ynë i përbashkët është që të garantojnë siguri dhe stabilitet për shtëpinë tonë evropiane,” ka shkruar Zelenski në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
“Ne jemi duke punuar së bashku me partnerët për ta përmirësuar arkitekturën evropiane, sidomos sigurinë rajonale. Ukraina ka propozime substanciale në këtë drejtim,” ka thënë Zelenski, duke shtuar se prioriteti kyç i Ukrainës është përmirësimi i mbrojtjes së saj ajrore, para nisjes së motit të ftohtë.
Infrastruktura e energjisë së Ukrainës është goditur rëndë nga Rusia dimrin e vitit të kaluar, duke i përballur miliona ukrainas me situata shumë të vështira.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




