Spitali i ri i Laçit, Rama: Punë me 3 turne për përfundimin para afateve

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laç, në kantierin e Spitalit të Ri që do të hapë dyert brenda 4 muajsh.
I shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Edi Rama u njoh nga afër me ecurinë e punimeve në këtë kantier, por edhe në kantieret e tjera të rindërtimit në Laç.
Kryeministri kërkoi që në këtë kantier të punohet 24 orë me tre turne që ta mbarojmë përpara afatit. “Dhe është e mundur se është një volum relativisht i vogël dhe me këtë teknologji besoj se kryhet më shpejt. Është teknologji antisizmike dhe nga pikëpamja e shërbimit është perfekt. Thjesht duhet forca dhe 24 orë punë”, tha Rama.
Ministrja Manastirliu informoi se “puna për rindërtimin e spitalit bashkiak të Laçit ka filluar prej 5 shkurtit”. “Në momentin që filluam punën për të ndërtuar spitalin e ri morëm dhe një model se si duhet të jetë një spital bashkiak duke parë edhe prirjen demografike, por gjithashtu edhe nevojën për shërbimet bazë”, tha ministrja.
Ajo theksoi se “spitali do të ketë 40 shtretër dhe ndërkohë do të ketë modelin e një spitali 24-orësh. “Do të ofrojë shërbimet e emergjencës, të patologjisë, pediatrisë dhe të maternitetit. Ndërkohë që do të ketë edhe poliklinikën e përfshirë brenda 1 godine. Spitali i dikurshëm i ofronte një popullate më të madhe shërbime, dhe ishte i kufizuar vetëm në një ambient. Spitali i ri do të ketë të gjithë parametrat bashkëkohorë dhe është planifikuar të ofrojë shërbime të integruara dhe të mundësojë shërbim më cilësor për qytetarët”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se “modeli që po ndërtojmë në këtë spital do të jetë edhe modeli i ardhshëm i spitaleve bashkiake, sepse normalisht ka një mungesë eficience në spitalet bashkiake”. “Ky model do të na shërbejë për të shtrirë modelin edhe në qytetet e tjera, aty ku ne kemi fokus të përmirësojmë shërbimin”, tha Ministrja ndërsa shtoi se spitali i Laçit ka një sipërfaqe ndërtimi prej 2500 metrash.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




