‘Standard and Poor’s’ vlerësoi ekonominë shqiptare me ‘B+’, Mete: Shenjë besimi për aftësinë kreditore të Shqipërisë

Ekonomi | 3 vite më parë

Shqipëria mori vlerësim pozitiv nga agjencia e mirënjohur botërisht në fushën e vlerësimit ekonomik, ‘Standard and Poor’s’. Më 22 Shtator 2023, agjencia ka rishikuar perspektivën për Shqipërinë nga “e qëndrueshme”, në “perspektivë pozitive”.

Në të njëjtën kohë, agjencia konfirmoi vlerësimin me “B+” që është një rritje në nivelin e vlerësimit për vendin tonë. Lidhur me këtë vlerësim ka reaguar edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete.

Shefi i financave shqiptare shprehet se ky përmirësim i vlerësimit, pas gati 7 vjetësh, i shërben bankave dhe investitorëve, si dhe bizneseve brenda dhe jashtë vendit, për të vlerësuar aftësinë kreditore të Shqipërisë.

“Lajm i mirë rishikimi në ngritje i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit Standard&Poor’s, nga perspektivë “e qëndrueshme” në “pozitive”, duke konfirmuar vlerësimin B+. Ky përmirësim i vlerësimit, pas gati 7 vjetësh, i shërben bankave dhe investitorëve, si dhe bizneseve brenda dhe jashtë vendit për të vlerësuar aftësinë kreditore të Shqipërisë, duke pasur kështu një ndikim në uljen e kostove të huamarrjes.”, komenton Mete në rrjetin e tij social Facebook.

Sipas tij, ky është një tregues i forcimit të qëndrueshmërisë së financave publike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në ndjekjen e reformave strukturore dhe integrimit evropian.

“Ky përmirësim rrit pozicionin e Shqipërisë në tregjet financiare globale dhe hap mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik. Ai shërben gjithashtu si një shenjë besimi nga komuniteti ndërkombëtar në stabilitetin ekonomik dhe potencialin e rritjes së ekonomisë shqiptare”, nënvizon Mete.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme