Studentët serbë ultimatum Vuçiçit: Mosbindje civile nëse nuk shpallen zgjedhje të parakohshme deri më 28 qershor
Studentët serbë, të cilët protestojnë që nga tragjedia e Novi-Sadit në nëntor të vitit të kaluar, paralajmëruan këtë të enjte qeverinë e Serbisë se do të përballet me mosbindje civile nëse nuk shpall zgjedhje të parakohshme deri më 28 qershor, dita kur Serbia feston Vidovanin, por edhe vetë studentët kanë njoftuar një tubim masiv në Beograd.
Përmes një letre të hapur të publikuar në mediet sociale, ata i kërkojnë Qeverisë serbe t’i dërgojë një propozim presidentit Vuçiç për të shpërndarë Parlamentin që t’i hapet rruga thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Studentët thonë se mandati që Qeveria mori nga Parlamenti nuk e pasqyron situatën aktuale politike në vend.
“Regjimi ka treguar se nuk ka më kapacitet për ta udhëhequr vendin përmes krizës më të madhe socio-politike në dekadat e fundit,” thuhet në letrën e tyre.
Një kërkesë e dytë e studentëve lidhet me ndërprerjen e protestës paralele në qendër të Beogradit, që mbahet që nga marsi nga grupi i ashtuquajtur i studentëve që duan të mësojnë. Këta të fundit kanë ngritur kampe përpara Presidencës serbe, duke u kërkuar autoriteteve që t’i lejojnë të kthehen në universitete. Ata janë vizituar disa herë nga vetë presidenti Vuçiç.
Ky i fundit gjatë Forumit Ndërkombëtar Studentor, u shpreh këtë të enjte se revolucionet me ngjyra, siç i quan ai protestat e studentëve serbë, në të gjithë botën janë gjithnjë e më pak të suksesshme, megjithëse shkaktojnë dëme të mëdha.
Studentët në Serbi protestojnë që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, duke bllokuar shumicën e universiteteve shtetërore të vendit. Ata thonë se për shkak të korrupsionit qeveritar dhe mungesës së llogaridhënies ndodhi tragjedia në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku nga shembja e strehës prej betoni atje humbën jetën 16 persona.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





