Stuhia e borës gjunjëzon SHBA/ Shqiptari nga Teksasi: Dyqanet u zbrazën si në kohën e pandemisë, temperatura deri në -16 gradë. Shumica e bizneseve janë mbyllur
Një valë e të ftohtit arktik ka mbërthyer pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke sjellë rënie drastike të temperaturave dhe stuhi bore. Sipas raportimeve të fundit, moti ekstrem ka sjellë dhjetëra viktima dhe mijëra fluturime të anuluara.
Në një lidhje për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, sipërmarrësi shqiptar në Dallas (Teksas), Ari Isufaj, ka rrëfyer gjendjen aktuale dhe vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti atje.
Isufaj tregon se temperaturat kanë zbritur deri në -16 gradë Celsius, e pazakontë për shtetin e Teksasit. Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë here rrjeti elektrik nuk ka pasur problematika. “Në Dallas nuk jemi mësuar me një kohë kaq të ftohtë, por nuk është hera e parë. Herën e fundit që kishim një situatë të ngjashme nuk kishim energji elektrike, por fatmirësisht kësaj radhe të paktën kemi”, u shpreh ai.
Rrugët janë pothuajse të pakalueshme dhe institucionet kanë bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë brenda. “Disa probleme me të cilat po përballemi për momentin është se rrugët nuk janë shumë të kalueshme. Institucionet thonë që të punojmë nga shtëpia nëse është mundësia. Shkollat janë mbyllur gjithashtu”.
Sipas sipërmarrësit, paralajmërimet e hershme në media shkaktuan një dyndje në supermarkete, duke rikthyer imazhe që ngjasojnë me ato në periudhën e pandemisë.
“Kjo krijoi panik, shumë njerëz shkuan në supermarkete për të blerë ushqime. Në disa markete pashë që disa artikuj ishin zbrazur. Menjëherë më krijoi atë ndjesinë që kishim gjatë Covid-it”.
Komuniteti shqiptar në Teksas njihet për prezencën e fortë në industrinë e hoteleri-turizmit, me rreth 500-600 restorante në zonë. Isufaj thotë se moti i ka detyruar shumicën prej tyre të ulin qepenat. “Ne si komunitet shqiptar kemi restorante të ndryshme, shumica prej tyre janë mbyllur”.
Gjatë bisedës, Ari Isufaj kujtoi edhe krizën e katër viteve më parë, kur temperaturat arritën në -27 gradë dhe mungesa e energjisë e ktheu situatën në alarmante. Ai tregoi se si bashkë me bashkëshorten e tij, Blinerën, u erdhën në ndihmë qytetarëve. “Më kujtohet në atë kohë, hapëm dyert e një prej restoranteve tona që kemi afër shtëpisë. Nuk kishim energji elektrike, por kishim gaz. Bashkë me gruan, Blinerën dhe stafin vendosëm që të japim ushqime falas. E kemi bërë me shumë dëshirë se komuniteti dhe ky vend na ka përkrahur gjithmonë dhe për ne është si shtëpi e dytë”.
Ai e mbylli komunikimin me shpresën se këtë radhë situata do të kalojë pa problematika serioze dhe ndërprerje të energjisë elektrike, duke nënvizuar se përtej vështirësive, siguria e njerëzve mbetet prioriteti kryesor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




