Sudan, diplomatët britanikë evakuohen nga kryeqyteti Khartoum

Botë | 4 vite më parë

Diplomatët britanikë dhe familjet e tyre janë evakuuar nga Sudani, gjatë një operacioni “kompleks dhe të shpejtë”. Kjo u konfirmua nga kryeministri britanik, Rishi Sunak.

Sunak tha se puna po vazhdon për të garantuar sigurinë e shtetasve britanikë që mbeten në Sudan.

“Të evakuuarit u dërguan në një aeroport jashtë Khartoum, për të fluturuar më pas jashtë vendit”- tha Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace për BBC.

Dhuna shpërtheu javën e kaluar në Khartoum midis dy forcave kundërshtare. Lufta për pushtet midis ushtrisë së rregullt të Sudanit dhe një force paraushtarake të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), është shoqëruar me të shtëna dhe shpërthime vdekjeprurëse në kryeqytet.

Sekretari i Jashtëm, James Cleverly, tha se kishte “kërcënime për dhunë specifike në drejtim të diplomatëve”. Kjo çoi në vendimin për të evakuuar stafin e ambasadës.

Ai tha se duke zhvendosur ambasadën në një vend aty pranë, diplomatët mund të ofrojnë më shumë ndihmë për ata që janë në Sudan. Cleverly shtoi se aftësia e qeverisë për të evakuuar shtetasit e tjerë britanikë ishte “shumë e kufizuar”, derisa luftimet midis palëve ndërluftuese të ndalen.

Edhe disa vende të tjera, përfshirë Francën, Holandën dhe Italinë, kanë nisur evakuimin e qytetarëve. Duke folur për BBC, Wallace tha se evakuimi i stafit diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar ishte kompleks, pasi ambasada ndodhej midis selisë së dy fraksioneve ndërluftuese në kryeqytetin, Khartoum.

Ai shtoi se mes atyre që u evakuuan ishin edhe fëmijë të vegjël. BBC

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme