Sulmi në Kapitol, ish-drejtuesi i “Proud Boys” dënohet me 22 vite burgim

Botë | 3 vite më parë

Ish-drejtuesi i grupit të krahut të djathtë, Proud Boys, është dënuar me 22 vjet burgim për rolin e tij në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit në Shtetet e Bashkuara. “Sot, lideri i ‘Proud Boys’, Enrique Tarrio kuptoi se pasoja e komplotit për të kundërshtuar me forcë transferimin e ligjshëm të pushtetit presidencial është 22 vjet burg federal”, tha Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland. Dënimi i Tarrios është më i rëndi deri tani në lidhje me trazirat në Kongres.

Gjatë javës së kaluar, katër anëtarë të “Proud Boys” u dënuan. Prokurori Mattheë Graves tha se asnjë organizatë nuk ka shkelur më shumë me çizme hapësirat e Kapitolit më 6 janar sesa “Proud Boys” dhe se ata ishin në ballë të çdo thyerje të mbrojtjes së Kapitolit. Mbi 1.100 persona janë arrestuar nën akuza që lidhen me sulmin në Kapitol.

Prej tyre, të paktën 630 persona janë gjetur fajtorë dhe të paktën 110 janë dënuar pas mbajtjes së gjykimeve. Pesë persona, përfshirë një polic, vdiqën gjatë trazirave të 6 janarit të vitit 2021 dhe mbi 140 policë u lënduan.

Si pasojë e sulmit, në Kapitol janë shkaktuar dëme në vlerë prej miliona dollarësh. Prokurori i posaçëm, Jack Smith, që po heton përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Trumpit për komplot për përmbysjen e rezultatit zgjedhor, ndërkohë që ish-presidenti po prin në garën për të fituar nominimin nga republikanët për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Gazetar A.Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme