TABELAT/ INSTAT: Bie numri i lejeve të ndërtimit në 12 qarqet e vendit

Të dhënat për lejet e ndërtimit në vendin tonë, përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti, kanë shënuar rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Një raport i INSTAT, lidhur me lejet e ndërtimit të dhëna në 12 qarqet e vendit si Tirana, Durrësi, Berati, Elbasani, Vlora, Lezha Shkodra, Kukësi, Dibra, Fieri, Gjirokastra dhe Korça, ofron detaje, lidhur me lejet e ndërtimit të miratuara përgjatë tremujorit të tretë të 2022, ku, sipas raportit, janë miratuar gjithsej 269 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 442 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 39,1 %.
Po sipas raportit, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2022, është 418.685 m2, nga 564.266 m2 që u miratuan në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 25,8 %.
“Në tremujorin e tretë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21,6 miliardë lekë, nga 22,5 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 3,8 %”- thuhet në raport.
Po cila është metodologjia e ndjekur për të dhënat
“Lejet e ndërtimit” kanë për qëllim që të paraqesin informacion mbi lejet e ndërtimit të miratuara për ndërtesa dhe punimeve inxhinierike në nivel qarku dhe vendi.
Treguesit kryesorë të lejeve të ndërtimit të miratuara, janë:
- Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja.
- Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja.
- Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike.
- Të dhënat mbi lejet e ndërtimit të miratuara janë të dhëna administrative.
Ndërtesat klasifikohen në dy lloje të ndryshme kategorish:
1) Ndërtesa për banim (rezidente).
2) Ndërtesa të tjera (jo rezidente), ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, ndërtesa për zyra, ndërtesa industriale, ndërtesa tregtare, etj. /rtsh.al/




Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




