Tajani: Integrimi të ndodhë para 2030-ës, rruga e Ballkanit të mbahet nën kontroll për migracionin klandestin

Politikë | 3 vite më parë

Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e Italisë në integrimin europian të Shqipërisë.

Tajani u shpreh se shpreson që integrimi europian të ndodhë para 2030-ës ndërsa theksoi se takimi që do të mbahet në muajin dhjetor do jetë një rast për t’i dhënë shtysë procesit të zgjerimit në Bashkimin Europian.

“Një vend që e kemi mbështetur dhe urojmë që kjo të ndodhë para 2023-ës. Insistojmë që të keni një proces integrimi të përshpejtuar. Në takimin në dhjetor që do zhvillohet do jetë rast për ti dhënë impuls procesit të zgjerimit të BE. Ky angazhim i përforcuar italian do vijojë përmes një koordinimi me BE”, tha Tajani.

Në lidhje me takimin e Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali, Tajani bëri me dije se u ra dakord për disa linja veprimi në 3 çështjet kryesore që lidhen me infrastrukturën, energjinë dhe sektorin bujqësor.

Tajani shprehu dëshirën për përfshirjen në këtë bashkëpunim edhe të sektorit privat.

“Me Shqipërinë bashkëndajmë lidhje të thella historike. Komiteti i përbashkët ekonomik i kemi dhënë hov, ramë dakord për disa linja veprimi në 3 çështje të mëdha: infrastruktura, energjia dhe sektori bujqësor.  Duam të përfshijmë në këtë bashkëpunim edhe sektorin privat”, vijoi më tej ai.

Sa i përket çështjes së migrimit, zv.kryeministri italian theksoi se rruga e Ballkanit duhet mbajtur nën kontroll që të mos rritet prania e migracionit klandestin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme