Takimi me deputetët, Berisha: U diskutua agjenda e parlamentit! Bardhi: Do ketë seanca dëgjimore në komisione

Në përfundim të takimit me deputetët demokratë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Gazment Bardhi deklaruan se u diskutua në lidhje me agjendën që ata do të ndjekin për sesioni e ri parlamentar.
Në një komunikim për mediat, Berisha u shpreh se opozita do të jetë e unifikuar me qëndrimin në parlament.
“Përfundoi mbledhja e grupit. U diskutua e gjithë agjenda e nesërme e parlamentit. Qendrimet që do mbajnë deputetët dhe z.Bardhi do t’ju informojë më me hollësi. U diskutua gjerësisht mbi drejtimin absolutisht disfunksionial në kundërshti me ligjin, me Kushtetutën të Parlamentit. Shkelmimin nga ana e institucioneve të vendit të të drejtave elementare të deputetëve për t’u informuar dhe informuar zgjedhësit e tyre. Braktisjen që i bën Edi Rama Parlamentit. Për të gjitha këto grupi parlamentar, deputetët e opozitës do të japin përgjigjet e merituara”, tha Berisha.
Bardhi deklaroi se në takim u morën një sërë vendimesh, duke përfshirë atë për propozimin e një pakete ligjore për rritjen ekonomike, masës së ndihmës ekonomike dhe skemës së pagesës për personat me aftësi të kufizuara.
Po ashtu, Bardhi shtoi se u dakordësua edhe një axhendë e plotë e komisioneve parlamentare, ku theksoi se do të kërkojnë seanca dëgjimore për ndërprerjen e fondeve të IPARD II dhe për gjendjen e kanabisit në territorin e repartit ushtarak të Zall Herrit.
“Kjo ishte mbledhja e radhës për të rakorduar axhendën dhe aksionin tonë parlamentar. Kemi marrë disa vendime të rëndësishme. Grupi parlamentar i PD dhe Aleancës për Ndryshim ka vendosur të propozojë një paketë ligjore sa i përket rritjes së pensioneve, masës së ndihmës ekonomike dhe skemës së pagesës për personat me aftësi të kufizuara, duke çuar përpara edhe projektligjin për minimumin jetik. Sa i takon llogaridhënies së qeverisë, kemi ndërtuar një axhendë të plotë të komisioneve parlamentare ku do të ketë seanca dëgjimore, një sa i përket abuzimeve të BE për bujqësinë, parlamenti duhet të njihet me raportin anti-korrupsion të BE që i është dorëzuar. Një çështje tjetër ka të bëjë me sigurinë në objekte ushtarake. Ju kujtohet kanabisi në repartin ushtarak. Ministri i Mbrojtjes dhe gjithë zinxhiri i ushtrisë do të duhet të japë llogari mbi këtë çështje përpara Komisionit të Sigurisë. Ka një çështje të mbetur pezull që është mocioni me debat dhe interpelanca me kryeministrit sa i përket inceneratorëve. Kryetarja e Kuvendit duhet të caktojë seancën. Kemi unifikuar qëndrimet për të gjitha pikat”, theksoi Bardhi.
Lidhur me konfliketet brenda PD dhe faktin që kryedemokrati Lulzim Basha e shkarkoi atë nga detyra e kreut të Grupit Parlamentar, Bardhi tha se vendime të tilla mund t’i marrë vetëm Grupi Parlamentar demokrat.
“Kryetarin e Grupit Aprlamentar të PD e zgjedh Grupi parlamentar i PD. Çështjet që lidhen me organizimin e grupit parlamentar të PD i vendos vetëm Grupi Parlamentar i PD, as Edi Rama dhe askush tjetër”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




