“Të drejtat e njeriut në rrezik”/ Organizata europiane e të drejtave të njeriut dënon dhunën e policisë serbe ndaj protestuesve

Rajon | 1 vit më parë

Organizata evropiane për të drejtat e njeriut shprehu shqetësimin se autoritetet serbe po përdorin forcë të tepruar dhe ndalime arbitrare për të shpërndarë protestat në rrugë kundër qeverisë populiste të Presidentit Aleksandar Vuçiç.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Michael O’Flaherty tha në një deklaratë se “liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta kyçe të njeriut të sanksionuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe është detyra e Serbisë t’i garantojë ato”.

“Jam i shqetësuar për situatën aktuale të të drejtave të njeriut në Serbi, ku, pavarësisht garancive që mora nga autoritetet gjatë vizitës sime në prill, po përdoret tepër forcë për të frenuar demonstratat”, tha O’Flaherty.

Policia serbe ka arrestuar dhjetëra demonstrues që nga një tubim masiv fundjavën e kaluar, përfshirë studentë universiteti, profesorë të tyre dhe të tjerë që kanë bllokuar trafikun në të gjithë vendin duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Tensionet janë rritur që nga tubimi i së shtunës nga dhjetëra mijëra njerëz në Beograd, i cili përfundoi me përleshje midis policisë së trazirave dhe grupeve të protestuesve . Demonstratat disamujore më parë kishin qenë kryesisht të qeta.

Policia ndërhyri gjithashtu të premten për të hequr bllokadat e trafikut në Beograd, duke ndaluar për pak kohë një numër protestuesish.

Studentët e universitetit që qëndrojnë pas protestave kanë thënë se policia ka plagosur shumë demonstrues paqësorë në ditët e fundit.

Dëshmitarët u thanë mediave lokale se policia e trazirave i rrahu protestuesit me shkopinj gome dhe mburoja dhe se katër studentë u shtruan në spital herët të enjten, përfshirë një me klavikulë të thyer.

Policia ka mohuar përdorimin e forcës së tepërt, duke paralajmëruar se bllokimet e trafikut janë të paligjshme. Vuçiç i ka përshkruar protestat e vazhdueshme si “terror” dhe një përpjekje për të rrëzuar shtetin.

Në deklaratën e O’Flaherty-t thuhej se “gjatë javës kanë ndodhur nivele në rritje të përdorimit të forcës nga policia, si dhe arrestime dhe ndalime arbitrare”.

“Jam veçanërisht i shqetësuar për arrestimin e fëmijëve, si dhe për numrin e studentëve që akuzohen për vepra penale ose shtrohen në spital për trajtimin e lëndimeve”, tha O’Flaherty në një deklaratë.

Ai shtoi se “duhet shmangur me çdo kusht keqinterpretimi i kësaj lëvizjeje kryesisht paqësore të udhëhequr nga studentët”.

Si misioni i BE-së në Serbi ashtu edhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut thanë të enjten se po e ndiqnin situatën nga afër dhe kërkuan përmbajtje.

Kritikët thonë se Vuçiç është bërë gjithnjë e më autoritar që kur erdhi në pushtet më shumë se një dekadë më parë, duke shtypur liritë demokratike ndërsa lejon që korrupsioni dhe krimi i organizuar të lulëzojnë, gjë që ai e ka mohuar.

Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian , por qeveria e Vuçiçit ka ushqyer marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën .

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme