“Të gjithë i njohin bëmat e gjëmat e Metës”, presidenti i përgjigjet Bashës: Je në borxhe që nuk i lan dot

Politikë | 5 vite më parë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në konferencën e tij për shtyp ditën e sotme, iu përgjigj deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha, se “të gjithë demokratët i njohin bëmat e gjëmat e Ilir Metës”. Presidenti u përgjigj se ai vetë nuk ka asnjë hall, por ka qenë aty për të ndihmuar çdo shqiptar, demokrat, socialist apo pa parti qoftë. Më tej, zoti Meta akuzoi Bashën se me këtë sjellje tregon që është në borxhe që nuk i lan dot dhe se ai si President nuk e ndihmon dot.

“Ilir Meta është në detyrë të përmbushë detyrat e tij. Se ça dinë demokratët për mua është e drejtë e tyre. Unë kam qenë gjithmonë me ta, demokratë, socialist e pa parti. Asnjëherë për t’iu shmangur ballafaqimit me mua. Nëse zotëria ka kurdisur këto fjalë me ndonjë qëllim, se është në hall, është në detyrë, është në borxhe që nuk i lan dot si duket. Unë i them që Ilir Meta nuk të ndihmon dot, jo se s’kam dëshirë, por s’i kam mundësitë,” tha Meta. 

Kreu i shtetit, deklaroi se pas anulimit të zgjedhjeve, Basha e tradhtoi opozitën, pasi nuk u regjistrua në 13 tetor, datën e dekretuar nga presidenti.

“Presidenti, pas vlerësimit të rrethanave, pak minuta para fillimit të protestës së opozitës, bëri publik vendimin e tij për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit, për anulimin e tyre. Presidenti, me autoritetin e tij kushtetues, pasi analizoi situatën e krijuar në vend, mori këtë vendim për ti dhënë një rrugëdalje Bashës dhe opozitës, por edhe të gjithë aktorëve politik në vend, për të dialoguar për një datë për zgjedhjet. Ky vendim nuk ishte lehët për mua, aq më tepër, dhe aq më tepër me kryeministrin, i cili nuk mund të ishte i lumtur për një vendim të tillë. Të mos harrojmë që në të 7 protestat e mëparshme, dhjetëra qytetarë kishin pësuar lëndime të rënda. Pas anulimit të 30 qershorit bëra përpjekje në mënyrë që të caktonim një datë të re ku të merrnin pjesë të gjitha forcat politike. Presidenti më pas miratoi dekretin për përcaktimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Pas dekretimit veprimi më minimal që duhej të kryente Basha ishte të paraqiste në KQZ kërkesën për regjistrimin e zgjedhjeve të 13 tetorit. Por çfarë ndodhi realisht? Rezulton zyrtarisht se Basha dhe PD nuk kanë bërë asnjë kërkesë zyrtare pranë KQZ për t’u regjistruar si subjekt konkurrues”, tha Meta.

Sipas Metës, Lulzim Basha u bë palë me “kreun e Rilindjes”, Edi Rama.

“Basha nuk i shërbeu aspak, jo vetëm vendit, por edhe opozitës, duke e përjashtuar totalisht nga qeverisja vendore. Jo vetëm që nuk e mbështeti presidentin, por edhe kërkesa formale që i është kërkuar disa herë nga aleatët u përdor nga maxhoranca dhe për komisionin hetimor dhe në Komisionin e Venecias, për të treguar që Presidenti nuk donte të bëheshin zgjedhjet në Shqipëri, jo se Presidenti donte zgjedhje gjithëpërfshirëse. Është e qartë si drita e diellit se Lulzim Basha mbështeti kreun e rilindjes dhe për kapjen e pushtetit lokal. Ai mbështeti kreun e rilindjes dhe në sulmet ndaj Presidentit të Republikës. Me mosparaqitjen e qëllimshme dhe të vetëdijshme për të mos u regjistruar në zgjedhje, u vendos haptas kundër institucionit të Presidentit të Republikës, duke u bërë pale me kreun e rilindjes. Do ketë fakte të tjera, por ky fakt ka të bëjë me të gjithë qytetarët. Bojkoti i opozitës dëmton dhe ata që kanë votuar për PS, se në fund të fundit duan dhe ata llogaridhënie”, deklaroi Meta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme