Tempulli 2″/ U kapën në flagrancë me heroinë dhe kokainë, arrestohen 4 persona në Elbasan

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempulli 2”,katër persona janë arrestuar në Elbasan gjatë një operacioni në dy lagje të qytetit.
Sipas Drejtorisë Vendore të Elbasanit, në vijim të megaoperacionit antidrog të koduar “Tempulli 2”,në lagjen “Skenderbej”, shërbimet e Forcës Operacionale konstatuan 4 persona, të cilëve gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në ambientin ku ata po qëndronin, iu gjetën doza të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë.
Si rezultat i kontrolleve në të gjithë qarkun dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, 3 persona u vunë në pranga, ndërsa për njërin nisi procedimi në gjendje të lirë.
Ndërkaq, në lagjen “Partizani”, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e një 36-vjeçari, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pasi e siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza, të cilat i shitnin në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit.
Dozat e lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë dhe 1 automjet që dyshohej se përdorej për këtë veprimtari kriminale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



