Tensione para Kuvendit, protestuesit hedhin vezë dhe miell ndaj makinave të deputetëve, shoqërohen disa prej tyre
Tensione dhe incidente janë regjistruar këtë të enjte (2 korrik) para godinës së Kuvendit, pak para nisjes së seancës plenare, ku një grup qytetarësh janë mbledhur sërish në protestë. Protestuesit kanë hedhur vezë dhe miell në drejtim të makinave të deputetëve, si dhe ndaj efektivëve, ndërsa kanë tentuar edhe çarjen e kordonit të sigurisë të vendosur nga forcat e policisë para godinës së Parlamentit.
Konfrontime të herëpashershme ka pasur mes protestuesve dhe efektivëve të rendit, çka ka nxitur këta të fundit të përdorin spraj piperi në drejtim të qytetarëve të cilët po tentonin çarjen e gardhit metalik. Si pasojë e situatës, disa protestues janë shoqëruar nga policia.
Sipas raportimeve, një pjesë e deputetëve të Partisë Socialiste kanë hyrë në sallën e Kuvendit përpara nisjes së protestës, ndërsa makina e kryeparlamentarit Niko Peleshi është goditur me vezë dhe miell. Ky tubim vjen pas atij të së martës (30 qershor) dhe në vazhdën e protestave që po mbahen prej 32 ditësh para Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” kundër planit për investime në Zvërnec dhe ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. 31 persona u shoqëruan në polici pas përplasjeve me forcat e rendit në protestën e 30 qershorit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





