Tensionet Kosovë-Serbi/ Pas Osmanit, komandanti i NATO-s në Itali takohet me Vuçiq

Pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admirali Stjuart Manç (Stuart B. Munsch) do të takohet këtë të mërkurë (11 tetor) me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic).
Takimi mes Vuçiq dhe admiralit Manç do të mbahet në orën 09:00 në godinën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës.
Situata mes Serbisë dhe Kosovës pritet të jetë në fokus të takimit mes tyre, kjo pasi dy ditë më parë (9 tetor) në takimin e mbajtur mes admiralit Manç dhe Presidentes Osmani, kjo e fundit vendosi theksin te nevoja e marrjes së masave kundër Serbisë, ndërsa kërkoi tërheqjen e trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën.
“Presidentja Osmani theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Milan Radoiçiq dhe politikisht nga Aleksandër Vuçiq. Ajo nënvizoi se Serbia duhet t’i tërheq trupat saj ushtarake nga kufiri me Kosovën pasi që ato përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhej në njoftimin e Presidencës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




