Ekstremi i djathtë pranë triumfit të dytë, Merz e cilëson humbjen e CDU-së si “katastrofë” dhe premton reforma për të ardhmen

Gjermania po përballet me një tronditje të re politike pas zgjedhjeve rajonale të së dielës. Exit poll-et e transmetuesit publik ARD treguan se në shtetin verilindor të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë kryeson me 37% të votave, duke lënë pas Partinë Socialdemokrate (SPD) me 35.5%.
Kjo është fitorja e dytë e AfD brenda dy javësh, pas rezultatit të fortë në Saksoni-Anhalt më 6 shtator, ku partia fitoi bindshëm dhe u hap mundësia që për herë të parë që nga vitet 1940 një forcë e ekstremit të djathtë të qeverisë një land gjerman.
Rezultati ishte veçanërisht i rëndë për CDU-në e kancelarit Friedrich Merz, e cila mori vetëm 5.5% të votave – rezultati më i dobët i partisë në një zgjedhje rajonale apo kombëtare që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Nuk mund ta zbukurojmë rezultatin në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore. Është një katastrofë. CDU luftoi fort, por në fund u shtyp mes përplasjes së SPD-së dhe AfD-së,” tha Merz pas publikimit të sondazheve.
Megjithë thirrjet e brendshme për një “Kanzlertausch” (ndërrim kancelari), Merz refuzoi të tërhiqej dhe u zotua të vazhdojë agjendën e tij të reformave.
“Gjermania është e aftë për reforma. Këto reforma janë antidoti kundër helmit të autoritarizmit. Ajo që duhet bërë tani kërkon kurajë, vendosmëri dhe durim. Do t’i tregoj këto cilësi si kryetar i CDU-së dhe, mbi të gjitha, si kancelar i vendit tonë,” u shpreh ai.
Merz e ka bazuar kancelarinë e tij mbi një program reformash ekonomike dhe sociale, duke u vetëquajtur “kancelari i reformave”.
Agjenda e tij përfshin rritjen e moshës së pensionit për të siguruar sistemin e pensioneve, shkurtimin e disa përfitimeve të sigurimeve shëndetësore për të ulur kostot, si dhe kufizimin e lehtësive për pushimet mjekësore me synimin për të nxitur rritjen ekonomike.
Ndërkohë, në Berlin, Die Linke (Partia e Majtë) është në rrugë për të dalë forcë e parë me 24.5% të votave, sipas exit poll-it të ARD, duke lënë pas CDU-në me 20%. Kryetarja e partisë, Elif Eralp, deklaroi: “Nga sot e tutje, ne do ta ndryshojmë Berlinin së bashku.” Ajo falënderoi votuesit për mbështetjen dhe theksoi se “në qytetin tonë, dashuria dhe drejtësia kanë triumfuar mbi urrejtjen. Ky mesazh po përhapet në botë.”
Rezultatet e përkohshme tregojnë një polarizim të thelluar në politikën gjermane: AfD po fiton terren në lindje dhe veri, ndërsa e majta po konsolidon pozitat në kryeqytet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




