Topalli krijon “Lëvizja për ndryshim”

Ish kryetarja e parlamentit dhe ish nënkryetarja e PD Jozefina Topalli, ka prezantuar të mërkurën partinë e saj të re “Lëvizja për ndryshim”, e cila siç tha ajo synon të sjelli rreze shprese veçmas për të rinjtë. “E ndërgjegjshme për kohën e vështirë që po kalon vendi. E qartë se kemi për të bërë përpara për një punë të nisur kohë më parë, …jam e vendosur për të mos qëndruar anash për të mos heshtur dhe për të mos pasur frikë” tha zonja Topalli një kundërshtare e deklaruar e kreut të PD Lulzim Basha. “Ekonomia jonë është tkurrur. Sistemi shëndetësor publik po vuan, shumë shkolla po mbyllen në rrethe sepse ska më fëmijë. Ne vazhdojmë të jemi një vend ku ka pensione edhe 100 euro. Prej vitesh nuk rriten rrogat por çmimet. Në një vend ku çmimi rritet dhe ekonomia bie, këta janë disa indikatorë të krizës. Më pak e matshme dhe e thellë është mungesa e besimit” ishte analiza e zonjës Topalli. “I them çdonjërit se sfidat me të cilat ne përballemi janë reale, nuk zgjidhen duke u fshehur, në një vend ku nuk ka as qeveri dhe as opozitë, as gjykatë kushtetuese e as të larta. Gjykata administrative drejt kolapsit dhe ata të shkallës së parë kanë degraduar. Duke ditur këto të gjithë e dimë se asnjëri s’është i sigurt dhe se një ditë do të ndeshet me këto sfida” premtoi themeluesja e “Lëvizja për ndryshim” Jozefina Topalli. ” Nuk kam asnje pushtet! Kam pervojen e nevojshme, vullnetin e palekundur dhe besimin e patundur per te kontribuar qe ky vend te behet. Kam frike se neser do jete vone. Koha eshte tani..Ndaj dhe ju ftoj .. Eja me ne , bashkohu me ne te fillojme betejen, te kapim sfiden, e te fitojme per vendin, te sjellim ndryshimin e rrezen shprese per kete brez!” mbylli fjalën e saj zonja Topalli.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




