Tragjedi pranë Shtëpisë së Bardhë, vriten dy anëtarë të Gardës Kombëtare pas të shtënave, arrestohet autori

Dy anëtarë të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore kanë humbur jetën pasi u qëlluan me armë zjarri të mërkurën, në një incident të rëndë të regjistruar në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shprehu dhimbjen për humbjen e dy efektivëve dhe njoftoi se autoritetet shtetërore po bashkëpunojnë ngushtë me ato federale.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët federalë ndërsa hetimi vazhdon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes,”, tha Morrisey.
Autori në pranga, i plagosur
I dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë është arrestuar nga forcat e sigurisë. Burime brenda zbatimit të ligjit, të cilat folën në kushte anonimati për agjencinë “Associated Press” (AP), konfirmuan se autori është gjithashtu i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit. Ai ndodhet në paraburgim dhe po trajtohet për plagë që nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.
Detajet e ngjarjes
Edhe pse dinamika e plotë e sulmit mbetet ende nën hetim, burime pranë ngjarjes bëjnë me dije se sulmi ka qenë fatal dhe i befasishëm. Sipas një zyrtari të njohur me detajet, njëri prej anëtarëve të Gardës Kombëtare është qëlluar me plumb në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Zona përreth Shtëpisë së Bardhë është blinduar nga forcat e sigurisë, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbuluar motivin e këtij sulmi të rëndë ndaj uniformave të shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





