Transhumanca, tradita që sfidon kohën, studiuesja Rita Shkurtaj propozon të përfshihet në Universitetin e Shkodrës
Transhumanca, praktika shekullore e lëvizjes sezonale të barinjve dhe bagëtive drejt kullotave, mbetet një nga dëshmitë më të rëndësishme të lidhjes së komuniteteve me territorin dhe natyrën. Kjo traditë ka qenë për breza të tërë e lidhur ngushtë me jetën dhe ekonominë e familjeve të zonave malore.
“Transhumanca, hyrja e saj në UNESCO, është, si të thuash, pjesë e një pakete ndërkombëtare, pra është një aktivitet kulturor i rrezikuar, që rrezikon të humbasë. Për sa u përket malësorëve, kjo është mëse e vërtetë, pasi rrezikojnë të humbasin shumë aktivitete të tilla, siç është Festa e Çobanit, e cila u themelua pikërisht mbi bazën e këtij rreziku dhe, në një farë mënyre, për t’i rikthyer në vëmendjen e malësorëve dhe të brezave të rinj. Por sfida më e madhe mbetet vazhdimësia”, u shpreh studiuesja, Rita Shkurtaj.
Por sfida më e madhe mbetet vazhdimësia. Studiuesja Rita Shkurtaj vlerëson se dijet dhe traditat e lidhura me transhumancën duhet t’u përcillen brezave të rinj. Një mundësi, sipas saj, do të ishte edhe trajtimi i transhumancës në nivel akademik.
“Mendoj që Universiteti i Shkodrës duhet ta ketë në vëmendje. Pse jo, të krijojë edhe një degë të veçantë ose të ketë një qasje për ta njohur dhe, si të thuash, për ta kultivuar te brezat e rinj, qoftë edhe si një lëndë me zgjedhje, sepse transhumanca, ose e thënë ndryshe, të biesh në lëvizje, është një aktivitet kulturor me të cilin kanë mbijetuar dikur malësorët”, tha ajo.
Nga një praktikë jetike për ekonominë e familjeve malësore, transhumanca është sot pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Sfida është që njohja nga UNESCO të mos mbetet vetëm një status, por të shërbejë për ta mbajtur këtë traditë të gjallë.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




