Trialog, Flogert Muça: Grupe propagandistike në Kosovë po tentojnë të kriminalizojnë ish-komandantët e UÇK-së

Kosovë | 41 minuta më parë

Analisti Flogert Muça ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH24 se grupe propagandistike po punojnë për të normalizuar vendimin gjyqësor të Hagës dhe për të thelluar kriminalizimin e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Muça e përshkroi ditën e vendimit në Hagë si një impresion i përgjithshëm për shumëkënd, por me një diferencë në përvojën e tij teksa theksoi  se “kur sheh ushtarë të UÇK-së nga 2 metra që lotojnë kur dëgjojnë ato fjalë është një moment që nuk do të doje ta përjetoje. Nuk është mirë të ishe në Hagë ato ditë.”

Sipas Muçës, ajo që është thënë deri dje ndaj ish-komandantëve tani po zëvendësohet me mesazhe të kundërta në mediat e Prishtinës, ku dënohet vendimi, ndërkohë që në praktikë po ndodh e kundërta.

Për sa i përket asaj që tha Lorenci ka të bëjë me hipokrizinë politike që po ndodh sot. Ajo që është thënë deri dje nga ata ndaj tyre atje, në Prishtinë, po thuhet e kundërta mediatikisht; dënojmë vendimin etj.. por ndërkohë unë e kam të verifikuar që grupe propagandistike që tentojnë të ketë një propagandë hibride po tentohet jo vetëm të normalizohet vendimi, por të kriminalizohen thellë e më thellë komandantët. Kjo është një hipokrizi e qartë,” deklaroi Muça.

Ai theksoi se kjo propagandë është e organizuar dhe e përhapur gjerësisht në platformat digitale.

Nëse hyn sot në Tik-Tok ka produkte të paketuara me shumë kujdes dhe këto produkte janë të shpërndara në qindra kanale komunikimi,” tha ai, duke shtuar se nuk beson se është vetë Albin Kurti ai që i drejton, por se kryeministri mund të ndërhyjë për t’i ndaluar.

Nuk besoj se është Albin Kurti por Albin Kurti me një thirrje të sinqertë ose nën rrogoz t’i bëjnë këta që të ndalojnë sepse këta që po them unë ndërkohë poshtë kanë video që ngrenë në madhështi Albin Kurtin,” përfundoi Muça.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme