Trump: Gati për debatin e dytë. Biden: Nëse ai ka Covid, s’duhet të kemi debat

Botë | 6 vite më parë

Duket se sëmundja e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i prekur nga virusi korona, po kthehet në debat mes tij dhe kundërshtarit politik. Pasi ka dalë nga spitali Presidenti Amerikan Donald Trump është shprehur i gatshëm për debatin e dytë me kundërshtarin Biden. Kandidati demokrat për President Joe Biden tha të martën ai dhe Presidenti Donald Trump nuk duhet të zhvillojnë debatin e tyre të planifikuar më 15 tetor nëse zoti Trump do të vazhdonte të ishte i infektuar me koronavirus në atë kohë. “Nëse ai ende ka COVID-19, nuk duhet të kemi debat”, u tha gazetarëve zoti Biden. Më herët, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i infektuar me koronavirus, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë të martën se ka në plan të marrë pjesë në debatin e dytë me rivalin e tij demokrat, Joe Biden. “Unë mezi e pres debatin mbrëmjen e së enjtes më 15 tetor në Miami. Do të jetë i mrekullueshëm!”, tha presidenti në Twitter. Zoti Trump rezultoi për herë të parë pozitiv për COVID-19 të enjten e kaluar dhe u shtrua në spital për 72 orë midis mbrëmjes së së premtes dhe të hënës. Bazuar në këto detaje për fazat e infektimit, pjesëmarrja e tij në debat, gjatë së cilës kandidatët do t’u përgjigjen pyetjeve të votuesve, mund të përbëjë rrezik për shëndetin publik, bazuar në udhëzimet nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e cila konsideron se dikush i infektuar me virusin mund ta transmetojë atë për 10 deri në 20 ditë nga fillimi i simptomave. Komisioni për Debatet Presidenciale, grupi jofitimprurës që organizon debatet nuk ka komentuar ende për këtë çështje.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme