Trump kërcënon BE-në me tarifa nëse afrohet më tej me Kanadanë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian se mund të përballet me tarifa të reja dhe masa tregtare nëse Brukseli avancon me planin për forcimin e marrëdhënieve me Kanadanë. Reagimi i Trump vjen pasi kryeministri kanadez, Mark Carney, ka kërkuar një “aleancë unike” me Bashkimin Evropian, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se dëshiron të “hapë derën” për lidhje më të ngushta me Kanadanë në disa sektorë strategjikë.
Duke folur me gazetarët, Trump tha se nëse një afrim i tillë do të konsiderohej “akt armiqësor”, SHBA-ja mund të vendoste “tarifa shumë serioze” ose edhe të kufizonte tregtinë me Evropën në disa fusha. “Nëse Evropa e bën këtë me një qëllim të keq, ne do të vendosim tarifa shumë të rënda ndaj Evropës”, deklaroi Trump, duke shtuar se një bashkëpunim me “qëllim të mirë” nuk do të përbënte problem.
Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe SHBA-së janë tensionuar muajt e fundit, ndërsa Ottawa ka kërkuar forcimin e lidhjeve ekonomike, politike dhe të sigurisë me Evropën. Ndërkohë, Carney pritet t’i drejtohet Parlamentit Evropian në Strasburg, ku merr pjesë si i ftuar nderi në një seancë plenare. Vizita vjen në një moment kur Kanadaja dhe BE-ja po shqyrtojnë mënyra për të thelluar bashkëpunimin mes tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




