Trump kundërshton afrimin BE-Kanada, paralajmëron për tarifa të rënda

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar “qesharake” propozimin e Bashkimit Evropian për t’i ofruar Kanadasë statusin e anëtarit të asociuar, ndërsa ka kërcënuar Brukselin me tarifa të reja tregtare.
Trump tha se SHBA mund të vendosë “tarifa shumë serioze” ndaj Bashkimit Evropian ose edhe të ndërpresë tregtinë me bllokun, nëse e konsideron afrimin BE-Kanada një veprim armiqësor.
Reagimi i presidentit amerikan erdhi pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ftoi Kanadanë të bëhet anëtari i parë i asociuar i BE-së. Ajo propozoi forcimin e bashkëpunimit mes Brukselit dhe Otavës në fusha si teknologjia, mbrojtja, energjia, inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe mineralet kritike.
Von der Leyen tha se, përballë një “çarjeje në sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, BE-ja dhe Kanadaja duhet të afrohen më shumë dhe të ndërtojnë një “aleancë për të ardhmen”.
Kanadaja dhe BE-ja kanë tashmë një marrëveshje tregtare dhe një sërë marrëveshjesh dypalëshe. Marrëdhëniet mes tyre janë intensifikuar që prej rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht pas vendosjes së tarifave amerikane ndaj aleatëve tradicionalë.
Në të njëjtën kohë, Kanadaja po sinjalizon një diversifikim të lidhjeve të saj në fushën e mbrojtjes. Kryeministri Mark Carney njoftoi aplikimin formal të vendit për t’iu bashkuar Joint Expeditionary Force, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Britania dhe që përfshin 10 vende anëtare të NATO-s, mes tyre Danimarkën, Holandën, Norvegjinë dhe Suedinë.
Ndërkohë, Carney zhvilloi një takim me kryeministrin britanik Andy Burnham, ku diskutuan forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe sfidat e mundësitë që sjell inteligjenca artificiale.
BE-ja nuk ka pasur deri tani një kategori formale të “anëtarësimit të asociuar”. Megjithatë, vende si Norvegjia, Islanda dhe Zvicra kanë marrëdhënie të ngushta me unionin dhe janë të integruara në aspekte të rëndësishme të tregut evropian.
Mbetet për t’u përcaktuar se çfarë do të përfshinte konkretisht statusi i propozuar për Kanadanë dhe si do të ndikonte ai në marrëdhëniet e saj me tregun e përbashkët të BE-së.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




