Transportonte 13 lingota dhe monedha floriri, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet 30-vjeçari në Fier

Aktualitet | 55 minuta më parë

Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit në kuadër të operacionit të koduar “Gold”, pasi u kap duke transportuar me një automjet luksoz 13 lingota dhe monedha floriri, të dyshuara të kontrabanduara.

Në kuadër të planit të posaçëm të masave për kontrollin e automjeteve të luksit, me qëllim verifikimin e burimit të parave me të cilat janë blerë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave Operacionale dhe “Shqiponja”, ndaluan për kontroll një automjet tip “Porsche Cayenne”. Automjeti drejtohej nga shtetasi A. B., 30 vjeç, banues në Roskovec.

Gjatë kontrollit të automjetit, në vijim të operacionit “Gold”, shërbimet e Policisë gjetën 9 monedha floriri dhe 4 lingota floriri, me një total prej 13 sendesh prej ari. Po gjatë kontrollit, në automjet u gjetën edhe 4000 euro dhe 93 000 lekë.

Sipas Policisë, 30-vjeçari nuk dispononte dokumentacion për të justifikuar origjinën apo burimin e sendeve me vlerë dhe të shumës së parave që iu gjetën.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e 30-vjeçarit, ku shërbimet e Policisë gjetën një leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, A. B. u arrestua dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 sendet prej floriri, shuma prej 4000 eurosh dhe 93 000 lekësh, leja e drejtimit e dyshuar e falsifikuar dhe automjeti “Porsche Cayenne”.

NJOFTIMI I POLICISË
DVP Fier/Finalizohet operacioni i koduar “Gold”.
Transportonte me automjet “Porsche Cayenne”, 13 lingota dhe monedha floriri, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet 30-vjeçari.

Nga kontrollet e mëtejshme, në automjet iu gjetën edhe 4000 euro dhe 93 000 lekë, ndërsa në banesë iu gjet leje drejtimi false.

Sekuestrohen sendet dhe automjeti.
Në zbatim të planit të posaçëm të masave për kryerje të kontrolleve ndaj automjeteve të luksit, me qëllim verifikimin e burimit të parave me të cilat janë blerë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e forcave Operacionale dhe “Shqiponja”, ndaluan për verifikim, një automjet tip “Porsche Cayenne”, me drejtues shtetasin A. B., 30 vjeç, banues në Roskovec.

Gjatë kontrollit në automjet, të kryer në vijim të operacionit të koduar “Gold”, u gjetën 9 monedha floriri, 4 lingota floriri, 4000 euro dhe 93 000 lekë. 30-vjeçari nuk dispononte asnjë dokumentacion për origjinën/burimin e sendeve me vlerë dhe as parave.

Më tej, u krye kontroll në banesën e tij, ku u gjet një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, 30-vjeçari u arrestua për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, si dhe për nisjen e hetimit pasuror, me qëllim dokumentimin e burimit të sendeve me vlerë dhe parave që iu gjetën 30-vjeçarit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme