Seanca plenare nis mes protestave, policia blindon perimetrin e Kuvendit
Teksa Kuvendi ka nisur punimet për seancën plenare, protestuesit janë mbledhur para godinës së Parlamentit, në një protestë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Gazetarja Lusi Përgjegji raporton se protesta po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Policia ka shtuar forcat në terren dhe ka bllokuar hyrje-daljet që të çojnë drejt Kuvendit, duke vendosur kordone policore dhe barriera metalike për të mbajtur nën kontroll situatën.
Forcat e policisë janë pozicionuar në rrugët që të çojnë drejt Parlamentit, duke krijuar një perimetër sigurie për deputetët. Gazetarja bën me dije se deri në këto momente nuk raportohet për përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa nuk ka pasur as persona të shoqëruar.
Sipas Përgjegjit, në duart e protestuesve janë parë edhe vezë, të cilat përdoren si pjesë e formës së protestës ndaj deputetëve.
“Në momentin kur deputetët largohen nga Kuvendi me automjetet e tyre, protestuesit hedhin vezë në drejtim të makinave, në shenjë kundërshtimi ndaj mënyrës së qeverisjes gjatë viteve të fundit. Thirrjet e protestuesve janë të shumta dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama”, deklaroi Përgjegji.
Protesta, e cila nisi rreth 110 ditë më parë si një kauzë ambientaliste kundër projektit të Zvërnecit, tashmë është zgjeruar në një protestë më të gjerë politike dhe qytetare. Protestuesit nuk kërkojnë vetëm anulimin e projektit të Zvërnecit, por shprehen se kërkojnë ndryshime në politikën e ndjekur gjatë 30 viteve të fundit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



