Turizëm në shtator, media gjermane tregon ku mund të pushohet në Shqipëri

Edhe pse jemi në muajin shtator, jehona që mediat e huaja i kanë bërë Shqipërisë për bumin turistik që regjistroi këtë verë vijon.
Është pikërisht media gjermane, “Prosieben”, që i ka kushtuar një artikull të tërë Shqipërisë dhe bukurive që ajo ka në përbërje.
Ajo e cilëson Shqipërinë si një vend të vogël në bregun lindor të Mesdheut, që po kthehet në një atraksion mjaft të lakmueshëm. Kjo për shkak, siç përmendet edhe në artikullin e “Prosieben”, çmimet janë tepër të favorshme, plazhet fantastike, fshatrat me peizazhe magjepëse, ushqim mjaft të shijshëm dhe kulturë të larmishme.
“Prosieben” bën një ndarje nga veriu në jug, me atraksionet që turistët duhet t’i vizitojnë.
E para renditet Tirana, për faktin që është kryeqyteti shqiptar.
Tirana shpjegohet si një metropol modern dhe rinor, me lagje të vjetra e arkitekturë të miksuar. Për të vijuar për gjiret e jugut të Shqipërisë, me Sarandën që përshkruhet si një qytet që përmban plazhet e virgjëra e me dete të kristaltë, por edhe me histori, ku përmend rrënojat e lashta të Butrintit.
Berati gjithashtu citohet në këtë artikull. Qyteti, pjesë e “UNESCO-s” është i njohur ndryshe si dhe “qyteti i një mbi një dritareve”, që veç historisë, flitet edhe për ushqimin e larmishëm.
Shqipëria përshkruhet si një vend që ofron turizëm në 365 ditët e vitit, e kësisoj, nuk mund të lihen pa u vizituar, Parqet Kombëtare të Thethit e Valbonës, që shquhen për natyrën e egër, të pa prekur nga urbanizimi i egër. Ndër arsyet kryesore se përse duhet të vizitohet Shqipëria sipas medias gjermane, është mikëpritja dhe ngrohtësia e jashtëzakonshme me të cilën shqiptarët mirëpresin mysfafirët e tyre.
Gazetar Artur Mata
/ rtsh /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




