Turizmi në stanet e bjeshkëve të Gjallicës, banorët: Vizitorët duan ushqim e natyrë

Sociale | 3 vite më parë

Stanet e bjeshkëve të Gjallicës prej shumë vitesh frekuentohen si nga banorët e fshatrave përreth, por edhe nga turistë të shumtë.

Iljaz Basha është njëri nga banorët e fshatit Shtiqen, që ka në pronësi një stan.

Ai tregon se edhe pse e bën prej shumë vitesh, dëshira nuk i është zbehur për të dalë në bjeshkë.

“Këtë e bëj që fëmijë, që nga koha e monizmit deri në këtë moshë. Vit për vit kemi pasur blegtori,” thotë Basha.

Iljazi tregon se fëmijët që i ka në emigracion e kanë nxitur ta restaurojnë stanin.

“Filluam ta riparojmë dhe mirëmbajmë stanin e vjetër për efekt të nostalgjisë, se jemi rritur me breza e fëmijë këtu,” shton banori.

Përveçse për përdorim familjar, ai mban dyert hapur edhe për të tjerë, qoftë banorë të atij fshati apo edhe ndonjë turist që mund të vizitojë zonën.

Përveç anëve pozitive që rendit për bjeshkën, nuk mungojnë edhe kërkesat që ka për infrastrukturën dhe energjinë elektrike.

“Është mirë edhe për turistët e huaj. Vetëm më punë të tilla do kishte zhvillim,” shprehet Basha.

Pavarësisht mungesave në infrastrukturë apo energji elektrike, bjeshkët e Gjallicës përllogarisin numra të lartë turistësh vit pas viti, që shkojnë aty për të shijuar natyrën e egër e larg zhurmave urbane, si dhe ushqimin e mirë të zonës.

Gazetar: Marjo Merhori

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme