Tusk: Rusia planifikoi vrasjen e një shtetasi amerikan në territorin e NATO-s

Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se Polonia ka parandaluar një komplot të dyshuar të lidhur me Rusinë për vrasjen e një shtetasi ukrainas-amerikan në Varshavë, përpara se sulmi të mund të realizohej. Tusk e cilësoi rastin si të paprecedentë.
Autoritetet polake arrestuan më 7 gusht një të dyshuar, i cili dyshohet se ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse për të kryer atentatin. Sipas policisë së Varshavës, ai do të qëndrojë në paraburgim për tre muaj.
Tusk deklaroi se bëhet fjalë për rastin e parë të njohur në të cilin një person, sipas tij, “me urdhër të Rusisë” synonte të sulmonte një shtetas amerikan në territorin e një vendi tjetër anëtar të NATO-s. Operacioni për ndalimin e të dyshuarit u zhvillua në bashkëpunim me shërbimet polake dhe amerikane.
Kryeministri polak tha se objektivi i atentatit konsiderohej “i papërshtatshëm për regjimin e Putinit”, por nuk dha detaje të tjera mbi identitetin e tij apo motivet konkrete që mund të kenë çuar në planifikimin e vrasjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




