Burg për Ylli Zallën, mohon lidhjen me atentatin në Rinas: Jam përgojuar kot, armët s’janë të miat

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 49-vjeçarin Ylli Zalla, i arrestuar dy ditë më parë në një zonë të pyllëzuar në Krujë. Gjatë seancës gjyqësore, përpara togave të zeza, Zalla ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjen e rëndë të Rinasit, duke deklaruar se është përgojuar dhe se armët e sekuestruara nuk i përkasin atij.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen e Rinasit, jam përgojuar kot. Armët s’janë të miat, janë gjetur te ish-reparti ushtarak”, ka deklaruar Zalla gjatë dëshmisë së tij.
49-vjeçari u vu në pranga dy ditë më parë. Në momentin e arrestimit, policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, së bashku me tre krehra.
Emri i Ylli Zallës është përmendur edhe në disa operacione të mëparshme të Policisë së Shtetit. Gjatë kontrolleve të kryera në banesën e tij dhe në zonat përreth, autoritetet kanë raportuar sekuestrimin e armëve, municionit dhe lëndëve plasëse.
Më 14 nëntor 2025, gjatë një kontrolli në banesën e Zallës, u zbulua një arsenal me armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion. Ndërsa më 20 shkurt, në kontrollet e zhvilluara në zonën përreth dhe pranë banesës së tij, u sekuestrua një tjetër sasi armësh, lëndësh plasëse dhe municioni luftarak.
Në kuadër të të njëjtit operacion, autoritetet raportuan gjithashtu gjetjen e lëndës narkotike Cannabis Sativa, uniformave të Policisë dhe sendeve të tjera të kundërligjshme.
Emri i Zallës është përmendur edhe në hetimet lidhur me atentatin mafioz në Rinas. Sipas dyshimeve të ngritura nga autoritetet në atë kohë, nga zona pranë banesës së tij dyshohej se kishte dalë automjeti i përdorur nga autorët e atentatit, ndërsa Zalla dyshohej se kishte ndihmuar në sigurimin e armëve.
Megjithatë, përpara gjykatës, 49-vjeçari ka mohuar kategorikisht përfshirjen në ngjarjen e Rinasit dhe ka pretenduar se armët e sekuestruara nuk janë të tijat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





