U shkarkua nga posti i ministres së Arsimit, Evis Kushi: Manastirliu do vijojë reformat

Ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka reaguar sapo Kuvendi miratoi shkarkimin e saj. Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Kushi shkruan se “kam punuar çdo ditë me mendje e zemër, me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë, për ta përmbushur me sukses e për të bërë më të mirën në çdo hap”.
Ajo përmend sfidat që ka kaluar në tre vite duke përmendur tërmetin dhe pandeminë. Ndërsa shton se “kemi realizuar shumë reforma transformuese, që do të kenë impakt për shumë kohë në të ardhmen, që nga abetarja e përbashkët unike, përmirësimi i infrastrukturës arsimore, digjitalizimi e deri tek ndërkombëtarizimi i universiteteve”
Ajo thekson më tej se “sportistët sot vlerësohen me më shumë dinjitet dhe Shqipëria është ngitur në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”.
Kushi falënderon kryeministrin Rama, ndërsa thekson se ministrja e re në këtë post Ogerta Manastirliu do të vijojë reformat në fushën e arsimit dhe sportit.
“Jam e bindur që Ogerta do të vijojë në rrugën e reformave të nisura, për ta ngritur më lart cilësinë e arsimit dhe sportit, drejt standardeve më të mira bashkëkohore, siç e meritojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë”, ka theksuar Kushi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




