Uji i pijshëm, nënshkruhet marrëveshja

Ekonomi | 5 vite më parë

Tirana ka gati masterplanin e detajuar për investimet në ujesjellës me qëllim furnizimin me ujë 24 orë si dhe zgjerimin e rrjetit. 
Pas marrëveshjes së financimit me BERZH-in në mars të vitit 2018, Tirana siguroi një masterplan të detajuar për investimet, me qëllim furnizimin me ujë 24 orë dhe zgjerimin e rrjetit. 

Masterplani i ri, i realizuar nga Kompania Shtetërore Publike e Ujësjellësit të Budapestit,  synon t’i japë zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e metropolit shqiptar. 

Ky masterplan për investimet në ujësjellës mund të përmirësojë në kohë afatmesme shërbimin me ujë dhe bashkia mund të bëjë plane veprimi të detajuara, bashkë me planet e investimit, për të ndërtuar projektet e nevojshme për ujësjellësin e Tiranës.

Ky është edhe synimi i marrëveshjes së nënshkruar mes Qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane të Investimeve,  financim që i shtohet financimeve ekzistuese të këtij ujësjellësi.

Sipas masterplanit, ndërhyrja e parë nis në Bovillë dhe në zonën e Yzberishtit, ndërkohë që me masterplanin e ri, qyteti ndahet në shtatë zona. 

Investimet e bëra mundësojnë  dyfishimin e sasisë së filtrimit të ujit që furnizon qytetarët e Tiranës dhe njëkohësisht ngritjen e një linjë të re magjistrale nga liqeni i Bovillës direkt në zonën e Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit, zona të cilat vitet e fundit kanë njohur një zhvillim tepër të madh, tashmë me 80 mijë banorë. 

Pas BERZH, Banka Europiane për Investim i ka akorduar Bashkisë së Tiranës 80 milionë euro që do të përdoren për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Projekti do të kontribuojë në efikasitetin e burimeve natyrore duke siguruar një furnizim të vazhdueshëm dhe të sigurt me ujë në kryeqytetin e Shqipërisë duke zvogëluar edhe konsumin e energjisë.

Banorët e Tiranës do të mund të kenë 24 orë ujë të pijshëm në çezmat e tyre vetëm në pranverë të vitit 2024., sipas një parashikimi të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve në fund të 2020. Marrëveshja me Bankën Europiane të Investimeve, siguron financimin e modernizimit të sistemit të brendshëm të ujësjellësit të Tiranës, ç’ka do të garantojë 24 orë ujë për kryeqytetasit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme